AAK: Dialogu për njohje reciproke të vazhdojë sipas agjendës së dakorduar me Sekretarin Blinken

AAK kërkon të vazhdohet dialogu për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë i dakorduar nga sekretari Blinken
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka mbajtur mbledhje me Kryesinë.
Temë diskutimi kanë qenë zhvillimet politike në vend e me theka të veçantë çështja e dialogut me Serbinë.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, kërkoi nga qeveria e vendit që të vazhdohet agjenda e dakorduar me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, drejt përmbylljes së dialogut për njohje reciproke me Serbinë.
Tutje kreu i AAK kërkoi që në takimin e radhës në Bruksel, të mos ketë kthim prapa, e të mos diskutohet për çështje teknike, por të ndiqet agjenda e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është kërkuar vazhdimi i agjendës së dakorduar me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, drejt përmbylljes së dialogut për njohje reciproke me Serbinë.
Po ashtu Kryesia e Aleancës, ka kërkuar nga qeveria e vendit, që në takimin e radhës në Bruksel, të mos ketë kthim prapa, e të mos diskutohet për çështje teknike, por të ndiqet agjenda e marrëveshjes finale me Serbinë”, ka treguar Haradinaj.
Tutje në këtë takim thuhet se u bisedua edhe për qeverisjen e Aleancës në komuna si dhe u theksua çështja e vonesës së lëshimit të mjeteve për komuna.
“Kryesia vlerëson lartë qeverisjen në komunat e udhëhequra nga Aleanca, që për transparencë e performancë janë vlerësuar kampione në Kosovë, në raportet e organizatave ndërkombëtare.
Kryetarët e komunave që udhëhiqen nga AAK, kanë shprehur shqetësimin për vonesën e lëshimit të mjeteve për komunat si dhe qasjen jo miqësore të qeverisë qendrore ndaj komunave. Suficiti i lartë buxhetor që pritet këtë vit, mund të konsiderohet edhe dështimi më i madh i qeverisë”, thuhet në njoftim.