AKP nxjerr në shitje tokën 1 hektarëshe në Novobërdë

AKP nxjerr në shitje tokën 1 hektarëshe në Novobërdë

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se ka nxjerrë në shitje një tokë mbi 1 hektarëshe dhe objektin 209 metra katrorë që gjendet mbi këtë tokë, në komunën e Novobërdës, më saktësisht në afërsi të fshatit Jasenovik.

Ndonëse AKP-së i është kërkuar që nga viti 2020, që të mos bëjë shpallje të ndonjë asnjë vale të re të privatizimit deri në miratim të Strategjisë për Privatizimin e Ndërmarrjeve Shoqërore, e cila është në procedurë e sipër të hartimit, ajo po vazhdon me valë të reja të shitjeve të aseteve që i ka nën menaxhim.

“Njësia nr.10-KB Novobërda Toka dhe Objekti – ofron për shitje tokën në sipërfaqe totale prej 11,645m² (1ha 16ari 45m²), oborrin prej 11,436m² dhe objektin (P+1) me sipërfaqe prej 209m², në ZK Jasenovik, në afërsi të fshatit Jasenovik, komuna e Novobërdës”, thuhet në një njoftim për media nga AKP.

Kjo Agjenci, para dy ditëve, shpalli edhe zyrtarisht shitjen e re të aseteve përmes likuidimit numër 55, që sipas njoftimit të AKP-së, janë asete të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Sipas një komunikate për media nga AKP, lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban gjithesej 52 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.

Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP-ja thekson se i ka njoftuar paraprakisht të gjitha komunat përkatëse, se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit: www.pak-ks.org, në mediat e shkruara dhe në ato elektronike.

Nga AKP-ja theksojnë se ofertat e mbyllura për njësitë apo asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim nr.55, duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë, me datën 15 qershor 2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull.

Ndryshe, muaj më herët, AKP-ja është udhëzuar nga Qeveria Kurti që të mos vendosë në shitje as asete që janë identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fond Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit.