Aktakuzë ndaj 3 personave për shitblerje të armëve, njëri tentoi të grabiste bankomatin e “Raiffeisen Bank”

Aktakuzë ndaj 3 personave për shitblerje të armëve, njëri tentoi të grabiste bankomatin e “Raiffeisen Bank”

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për shitblerje të armëve.

Arben Latifi, 39 vjeçar nga Prishtina, Hasip Zeka, 28 vjeçar nga Prishtina, Muhamet Krasniqi, 55 vjeçar nga Prizreni, po akuzohen nga Prokuroria se që nga 11 dhjetori i 2020-ës deri më 25 mars të këtij viti, kanë bërë importin dhe shitjen e armëve dhe municionit, në Ferizaj, Viti, Gjilan dhe qytete të tjera të Kosovës.

Sipas aktakuzës ata dyshohen se kanë blerë armë nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia dhe të njëjtat i kanë shitur në Kosovë.

Fillimisht, dyshohet se Hasip Zeka i ka blerë armët nga jashtë dhe pastaj ka arritur marrëveshje me Arben Latifin dhe përmes tij edhe me Muhamet Krasniqin.

Gjatë bastisjes së shtëpive dhe objekteve përcjellëse të tyre, më 25 mars 2021, Prokuroria gjeti dhe sekuestroi armë të llojeve të ndryshme, mijëra fishekë e municion.

Po ashtu, Prokuroria e akuzon Arben Latifin se më 17 tetor të vitit 2020, rreth orës 05:45, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, bashkë me disa persona të tjerë të cilët nuk janë identifikuar ende, kanë tentuar të grabisin paratë në bankomatin e “Raiffeisen Bank”, të cilin e kishin shpërthyer me eksploziv.

Ndonëse, kishin arritur që të shpërthejnë bankomatin, 39-vjeçari me bashkëpunëtorë nuk kishin arritur që t’i vjedhin paratë.

Prandaj, Latifi përveç shitblerjes së armëve, po akuzohet edhe për veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë”./Aleanca.press/