Alarm: Një stuhi diellore mund të shkaktojë një apokalips dixhital

Alarm: Një stuhi diellore mund të shkaktojë një apokalips dixhital

Fatmirësisht, ngjarjet e këtij lloji janë të rralla.

Pandemia e Covid-19 na ka mësuar se çfarë mund të ndodhë, kur nuk jemi gati për t’u përballur me të pamendueshmen. Për këtë arsye, një grup shkencëtarësh kanë paralajmëruar kohët e fundit të gjithë botën, mbi rreziqet e një apokalipsi dixhital hipotetik, i shkaktuar nga një bllokim i plotë i internetit, shkruan Focus.

Pasoja të parashikueshme

Sipas studiuesve, një ngjarje e tillë mund të shkaktohet nga një stuhi magnetike, që nga ana e saj shkaktohet nga një shpërthim diellor veçanërisht i fuqishëm: kabllot nënujore që garantojnë ndërlidhjen globale, mund të pësojnë një defekt të rëndë, transmeton lajmi.net.

Studimi u prezantua nga Sangeta Abdu Joti, i Universitetit të Kalifornisë, në edicionin e fundit të SIGCOMM, një nga konferencat më të rëndësishme në botë në fushën e telekomunikacionit. Efektet e stuhive diellore mbi rrjetin e energjisë elektrike dhe infrastrukturave të lidhura me të, janë të njohura tashmë.

Ndërhyrja elektromagnetike, e shkaktuar nga stuhitë diellore mund të dëmtojë funksionimin e pajisjeve që sigurojnë funksionimin e termocentraleve dhe linjave të shpërndarjes, duke lënë potencialisht pa energji rajone, apo edhe vende të tëra.

Kabllot nënujore

Fatmirësisht, ngjarjet e këtij lloji janë të rralla. E fundit u regjistrua në vitin 1989, kur edhe nxori jashtë përdorimit një termocentral të madh në Kebek, duke lënë pa energji elektrike për më shumë se 9 orë të gjithë Kanadanë Perëndimore. Por në atë kohë, interneti nuk ekzistonte akoma.

Sot infrastruktura elektrike, është shumë më e sigurt sesa 30 vjet më parë. Por Joti thotë se stuhitë diellore mund të nxjerrin jashtë funksionit përsëritësit e vendosur përgjatë kabllove nënujore, që bartin sinjalin e internetit nga njëri kontinent në tjetrin.

Pasojat e asaj ndërprerje dixhitale do të ishin dramatike. Jo vetëm që nuk do të kishte qasje në internet, por edhe tek shërbimet më thelbësore, si ato financiare dhe shëndetësore, telekomunikimet dhe shërbimet e informacionit.

Edhe satelitët do të dalin jashtë funksionit

Për më tepër, do të jetë e pamundur për të komunikuar me miliona objekte të lidhura midis tyre: sensorë, çelësa dhe pajisje të të gjitha llojeve, përfshirë ato mjekësore dhe të kujdesit shëndetësor. Ndër të tjera, kujton eksperti, një stuhi diellore e kësaj madhësie do të çaktivizonte të gjithë satelitët e telekomunikacionit, të cilët lejojnë që sinjali i internetit të rrugëtojë nga njëra anë e Tokës në tjetrën.

Siç e shpjegoi Joti gjatë fjalimit të tij, deri më sot nuk ka modele apo simulime që të na lejojnë të dimë paraprakisht pasojat e një ndërprerjeje të rrjetit në një shkallë planetare, por ato sigurisht që nuk do të ishin as të lehta dhe as të shkurtra në kohë.

Për shembull, nëse do të dilnin jashtë funksionit Border Gateway Protocol ose Domain Name System, dy nga protokollet themelore të komunikimit për funksionimin e internetit, atëherë secili shërbim do të bëhej i paarritshëm.

“Është njëlloj sikur të gjithë semaforët në planet të fiken në të njëjtën kohë: trafiku do të çmendej, akset kryesore do të bllokoheshin dhe qarkullimi do të bëhej i pamundur”, shpjegon eksperti.

Dhe pasojat e saj do t’i përjetonte çdo njeri dhe çdo lloj aktiviteti në glob.