Apeli liron nga akuzat Sami Lushtakun dhe të tjerët në rastin “KEK-u”

Apeli liron nga akuzat Sami Lushtakun dhe të tjerët në rastin “KEK-u”

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj Sami Lushtakut dhe disa personave të tjerë, në rastin e KEK-ut, kështu duke vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj tyre.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 9 gusht të këtij viti është vërtetuar, përpos pjesës ku të akuzuarit Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku janë liruar nga akuza për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje”.

“Të akuzuarit E.T. dhe M.L janë liruar nga akuza për shkak të veprës penale ‘Falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje’. Aktgjykimi i ankimuar, në këtë pjesë është ndryshuar, ashtu që aktakuza e prokurorisë, është refuzuar për shkak të parashkrimit të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Ish-kryetari i Skënderajit, Sami Lushtaku dhe të akuzuarit e tjerë ishin liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar të këtij viti, ishin shpallur të pafajshëm në rastin “KEK-u”.

Ai ishte i akuzuar për veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas vendimit të gjykatës, ish-drejtori i prokurimit, Driton Pruthi, ishte akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Lidhje të kontratës së dëmshme”, së bashku me drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj dhe ish-kryetarin e OSHP-së, Hysni Hoxha.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar të këtij viti, kishte nxjerrë një aktgjykim lirues dhe refuzues për të akuzuarit E.T. dhe M.L. për shkak të veprës penale ‘Falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje’.

Po ashtu, gjykata e shkallës së parë me të njëjtin aktgjykim kishte liruar nga akuza: të akuzuarin D.P. për shkak të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’ dhe ‘Lidhje të kontratës së dëmshme’, të akuzuarin A.Gj. për shkak të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, të akuzuarin H.H.

Gjithashtu për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, të akuzuarin A.D. për shkak të veprës penale ‘Shtytje në kryerjen e veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, njësoj si të akuzuarit E.T. dhe S.L.”, thuhet në njoftimin e Apelit./Aleanca.press/