ATK-ja paralajmëron hotelerinë dhe gastronominë mos t’iu ikin tatimeve

ATK-ja paralajmëron hotelerinë dhe gastronominë mos t’iu ikin tatimeve

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka paralajmëruar se do ta ketë në monitorim specifik gastronominë dhe hotelerinë, pasi kjo industri është me nivelin më të lartë të mospërmbushjes së detyrimeve tatimore.

Përmes një postimi në “Facebook”,  ATK-ja shkruan se në këtë industri s’mbahen evidenca të mbrëmjeve muzikore e as nuk lëshohen kuponë fiskalë.

“Industria e Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor (gastronomi/hoteleri), bazuar në të dhënat e përmbushjes gjatë vitit 2021, renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2021″.

“Ndër problemet më specifike, të dala nga sistemet dhe modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, të cilat kanë kontribuar në këtë përzgjedhje të trajtimit të kësaj industrie janë: pagesa përgjithësisht të ulëta,  me një kontribut të vogël në të hyra,  pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në Cash të realizuara në mes të  konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj”, thuhet në postim.

ATK ka kërkuar që tatimpaguesit t’i kryejnë përgjegjësitë e kërkuara tatimore që të mos ndëshkohen.

“Administrata Tatimore e Kosovës, kërkon nga secili tatimpagues nga çfarëdo aktiviteti ekonomik që zhvillon që t’i kryej përgjegjësitë e kërkuar tatimore që kalkulohen sipas legjislacionit tatimor, me qëllimin e vetëm që mos të jenë pre e ndëshkimeve tatimore”, thuhet tutje./Aleanca.press/