ATK raporton rekord të hyrash për gjysmën e parë të këtij viti

ATK raporton rekord të hyrash për gjysmën e parë të këtij viti

Administrata Tatimore e Kosovës raportoi rekord të hyrash për gjysmën e parë të këtij viti, duke tejkaluar planin për 18 për qind. Ndërsa, qeveria me rishikim të buxhetit ka rritur projeksionin për ATK-në për 36 milionë euro për pjesën e dytë të vitit.

Në periudhën janar-qershor të këtij viti, kjo administratë inkasoi të hyra 290.3 milionë euro, tha Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media.

Murtezaj theksoi se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ATK ka shënuar rritje për 74.3 milionë euro. Sipas tij, kjo ngritje e të hyrave ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së qarkullimit të bizneseve.

Sipas drejtorit Murtezaj, evazioni tatimor pa ndëshkime dhe interes arrin 2 miliardë e 35 milionë e 833 euro. Gjithashtu ai përmendi se sektorët që po iu shmangen më së shumti tatimeve janë ai i ndërtimtarisë, restoranteve dhe hotelerisë.

Megjithatë, me rishikim të buxhetit 2021, projeksionet e ATK-së janë rritur prej 36 milionë eurosh për pjesën e dytë të mbetur të vitit 2021.

Për këtë rritje të projeksioneve deri në fund të vitit, Murtezaj ka mohuar se do të ushtrojnë presion ndaj bizneseve, por shtoi se do të zbatojnë drejt ligjin në raport me të gjitha bizneset.

Murtezaj tha po ashtu se në këtë periudhë në kuadër të aktiviteteve për mbledhjen e detyrueshme, ATK ka grumbulluar 72.9 milionë euro borxhe.

Drejtori i kësaj Administrate foli edhe për hetimet tatimore, që sipas tij kanë qenë 39 aktivitete për shmangie tatimore, dy bastisje dhe 22 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore.

Në këtë periudhë, ATK ka lëshuar 165 gjoba për mallra pa origjinë dhe 2 mijë e 170 gjoba mandatorë./Aleanca.press/