Bajrami: Nuk na duhen kurrgjë 2.1 milionë euro me u kthy, nëse ata persona nuk dënohen

Bajrami: Nuk na duhen kurrgjë 2.1 milionë euro me u kthy, nëse ata persona nuk dënohen

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në lidhje me skandalin për vjedhjen e 2 milionë eurove në Thesarin e Shtetit ditë më parë, ka deklaruar se nuk i nevojitet asgjë kthimi i kësaj shume, nëse ata persona që e kanë bërë këtë veprim nuk dënohen, raporton Gazeta Sinjali.

“Nuk na duhet kurrgjë 2.1 milionë me u kthy, nëse ata persona nuk dënohen. Sepse në pyetje është siguria, paratë mund të kthehen, por është krim i organizuar. As unë nuk do të mund të punoja më në institucione, nuk do të kishte siguri. Nuk mund të garantoj që ato mjete do të kthehen, edhe pse ato duhet të kthehen sepse i takojnë buxhetit të Kosovës”, ka thënë Bajrami në T7.

Ajo ka vazhduar tutje duke thënë se letra përmes të cilës është kërkuar kthimi i mjeteve të vjedhura, nuk është dërguar nga ajo në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, por nga zëvendësdrejtoresha e Thesarit të Shtetit, Medije Musliu, e cila është edhe u.d., e drejtoreshës në këtë institucion.

“Nuk e kam dërguar unë. E ka dërgu zv/drejtoresha e Thesarit, neni 12 i ligjit të buxhetit thotë që çdo pagesë që kryhet gabimisht duhet me i dërgu letër me i kthy paratë. E kemi me ligj dhe duhet të kryhet kjo procedurë, qoftë edhe për 100 euro”, është shprehur Bajrami.

Ministrja Bajrami gjithashtu ka theksuar se është ndjerë keq për skandalin e ndodhur, por sipas saj nuk ka pasur mundësi të parandalojë këtë që ka ndodhur te Thesari i Shtetit.

“Ndihem shumë keq që diçka e tillë ka ndodhë në shtëpinë time. Ndihem keq pse ndodhi ky skandal i madh, ky krim i madh, kur unë isha ministre e Financave. Po të kisha përgjegjësi, s’do të rrija asnjë minutë në këtë pozitë. S’kam pasur mundësi ta parandaloj këtë gjë që ka ndodhur”, përfundoi ajo./Aleanca.press/