Besnik Tahiri: Kosova në kolaps ekonomik, Qeveria të veprojë

Besnik Tahiri: Kosova në kolaps ekonomik, Qeveria të veprojë

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se vendi ynë po kalon në një kolaps ekonomik, derisa fajësoi Qeverinë për pazotësi për të vepruar në këtë situatë.

Në deklarimin e tij pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se ka kërkuar që Projektligji për pagën minimale të largohet nga rendi i ditës për seancën e ardhshme.

"Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, kërkova që Ligji për Pagën Minimale të largohet nga rendi i ditës për seancën e ardhshme, për shkak se është diskriminues dhe në esencë e dëmton njërën ndër kategoritë më të rëndësishme të shoqërisë; veteranët e UÇK-së", u shpreh ai. 

Tutje, Tahiri shtoi se gjendja ekonomike në vend është tejet e rëndë, ndërkaq kërkoi nga Qeveria të marrë masa, qoftë në uljen e akcizës së derivateve apo në uljen e vlerës së tatimeve.
Sa i përket çështjes së Trustit, Tahiri tha se shpreson që deputetët e pozitës do të reflektojnë dhe ta mbështesin këtë nismë për shkak të gjendjes së rëndë sociale në vend, e shkaktuar si pasojë e rritjes enorme të çmimeve.

"Kundërshtari kryesor i Albin Kurtit nuk është opozita por qeverisja e tij dhe ministrat pa autoritet vendim-marrje!", përfundoi Tahiri.