Cakaj: Nuk ka forcë mbi rruzullin tokësor që mund ta rishkruajë historinë

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka reaguar ndaj inicimit të aktakuzës ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, aktualisht kryetar i PDK-së, Kadri Veseli.
Cakaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë! UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare. PIKË”, është shprehur Cakaj.
Ai ka shtuar se atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia.
“Atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia: krenar me punën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetësisë së saj që nga themeli”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Një gjë është fare e qartë:
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë! UÇK-ja është jo vetëm pika më e lartë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës për liri e vetëvendosje, por edhe kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë kombëtare. PIKË.
Prandaj, sot, duke qenë krejtësisht të bindur në pafajësinë e tyre të plotë e duke njohur me nderim të thellë punën e tyre në shërbim të kombit shqiptar e vlerave njerëzore, mbështetje e pakursyer për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjithnjë duke kujtuar kryelartë e ballëhapur gjithë historinë e ndritur e të paqtë të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS!
Atë që mund ta mbulojë mjegulla e politikës ditore, nuk mund ta fshehë kurrë as historia: krenar me punën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetësisë së saj që nga themeli. Kaq.
Mirënjohje, nderim e krenari, natyrisht, për çdo pjestar të UÇK-së për shërbimin e pastër ndaj vendit dhe qëndrimit në faqen e bardhë të historisë.
Mbase në botë mund të ndodhin shumë çudira, por nuk ka asnjë forcë mbi rruzullin tokësor që mund ta rishkruajë historinë, njollosë UÇK-në, a tjetërsojë përpjekjen e popullit shqiptar për drejtësi dhe çlirim!
NDERIM UDHËHEQËSVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS/aleanca.press/