Daut Haradinaj në Parkun e Velanisë: mosrregullimi i varrezave të dëshmorëve çon mesazh të gabuar tek gjeneratat e reja

Daut Haradinaj në Parkun e Velanisë: mosrregullimi i varrezave të dëshmorëve çon mesazh të gabuar tek gjeneratat e reja

Në një intervistë televizive, kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së Daut Haradinaj ka folur për Parkun e Velanisë, ku gjendet varrezat e Dëshmorëve, kryesisht të Zonës së Llapit, por edhe varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova, Heroit Adem Demaçi dhe shumë heronjve të tjerë. 

 

Haradinaj tha se gjendja aktuale e parkut nuk na bën krenarë dhe se aty ka nevojë për gjelbrim, ndriçim dhe rregullim varrezash, në mënyrë që parku do të merr pamje të bukur dhe do të jetë i shfrytëzueshëm nga qytetarët. 

Sakrifica e dëshmorëve duhet të respektohet – ka thënë Haradinaj duke sqaruar se parku mbeti në gjendje të mjerë nga pakujdesia dhe neglizhenca. 

Ai tha se “mosrregullimi i varrezave të dëshmorëve çon mesazh të gabuar tek gjeneratat e reja”. 

Haradinaj ripërsëriti se në mandatin e tij, do të jenë ndërtimtarët ata që do të kushtëzohen për mbjelljen e fidaneve, përfshirë edhe në këtë park . Sipas programit të tij, projekti i rregullimit të parkut, do të duhej të përfundonte në qershor të vitit 2022.

Haradinaj shprehu shqetësimin edhe për gjendjen e varrezave të të rënëve të vitit 2015 në Kumanovë, ku prej kohës së varrimit të së cilëve, dora e njeriut nuk ka bërë asnjë intervenim në varret e tyre, edhe pse shumica e tyre ishin prej luftëtarëve më të zot të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

 

Kandidati për kreun e kryeqytetit Daut Haradinaj, theksoi faktin se ky park në Velani është vend i frekuentuar, andaj shtohet edhe më shumë nevoja që të rehabilitohet. “Vetëm te varri i Presidentit Rugova, llogaritet të kenë qenë rreth 4 milionë vizitorë” – shtoi Haradinaj.  

“Është fatkeqësi, që pjesë të këtij parku shfrytëzohen deri edhe nga moshat minore si vende për konsumimin e substancave narkotike” – ka thënë Haradinaj. 

 

Të rinjëve nën moshën 18 vjeqare nuk i duhet lënë qasje në blerjen dhe konsumimin e duhanit dhe alkoolit. Lokalet që shërbejnë pije alkoolike për minorët duhet të penalizohen dhe t’u mirret licenca e punës. 

 

Ai foli së në kuadër të Ligjit për Kryeqytetin parashihet edhe policia e Kryeqytetit e cila mes tjerash siguron edhe shkollat. 

Janë 1600 policë në Prishtinë që mund të inkuadroheshin menjëherë në kuadër të policisë së kryeqytetit, me marrëveshje mes komunës dhe Ministrisë së Brendshme. Kjo është më praktike sesa rekrutimi i policëve të rinj, proces i cili do të zgjaste deri në një vit. Sipas Haradinajt, ka shumë rëndësi që ata të sigurojnë sidomos shkollat e mesme dhe gjimnazet, në të cilat ndodhin gjëra për të cilat nuk krenohemi. 

 

Pasi ka eksploruar hapësirën e Parkut të Velanisë dhe amfiteatrit të ndërtuar në kohën e okupimit komunist jugosllav, Haradinaj ka shprehur kënaqësinë që të paktën hapësira e parkut është ruajtur dhe nuk është tjetërsuar. /Aleanca.Press/