Daut Haradinaj: Qytetarët më njohin si njeri të fjalës, kur them diçka, ajo punë realizohet

Daut Haradinaj: Qytetarët më njohin si njeri të fjalës, kur them diçka, ajo punë realizohet

Daut Haradinaj kandidat për kreun e Prishtinës, foli për sheshin kryesor të qytetit, gjatë një interviste në një televizion. 

 

Sipas ekspertëve ai theksoi nevojën e 4 nënkalimeve në sheshin “Nënë Tereza” pa e dëmtuar fare sheshin. Kjo sipas Haradinajt do të lehtësonte edhe trafikun. Ai tha se kjo do të realizohej shumë lehtë me partneritet publiko-privat. 

 

Haradinaj theksoi edhe nevojën e përfundimit të Unazës së Madhe, projekt e cila i ka edhe fondet e ndara nga BERZH që nga viti 2018. 

 

Ai shprehu shqetësimin e mospërfundimit të sistemit të ngrohjes për kryeqytetin, edhepse ka një plan që nga viti 1976, projekt ky që mund të realizohet nëse ka vendosmëri të udhëheqjes, pa e dëmtuar buxhetin, me donacione nga jashtë dhe hua të buta. 

 

Haradinaj u shpreh se nuk do të kishte aspak problem që të bashkëpunonte me Kryeministrin Kurti, nga pozita si kryetar i komunës. 

 

Haradinaj tha se do ta shtynte përpara projektin e ideuar nga Shpend Ahmeti, por të parealizuar, për rregullimin e pjesës nga menza e studentëve e deri te lagjet e vjetra të Prishtinës, ku gjenden Muzeu i Kosovës dhe xhamitë më të vjetra. 

 

Duke shprehur shqetësimin për mungesën e xhamive dhe faljen e qytetarëve në rrugë, Haradinaj tha se ndërtimi i xhamisë së madhe në Kryeqytet është një lajm shumë i mirë. “Nuk duhet me u frikësu nga qytetarët të cilët besojnë” – shtoi Haradinaj.

 

Haradinaj foli edhe për projektin e “Hyjneshës në Fron” afër Pallatit të Drejtësisë, ku mund të funksiononin edhe akademitë komunale, si dhe qendrat për të rinjtë. 

 

Sa i përket listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal, Haradinaj tha se lista e tij i përfaqëson të gjitha vlerat e kryeqytetit, qytetarët autoktonë, kulturat e ndryshme, profesioneve të ndryshme, natyrisht duke mbuluar edhe gjeografinë e kryeqytetit, përfaqësimin e të gjitha lagjeve dhe bashkësive lokale. 

 

Pas 4 viteve të mandatit të parë, Haradinaj konsideron se të arriturat më të mëdha do të ishin siguria publike, shkollat, ndriçimi, menaxhimin e ujërave të zeza, trafiku, e mbi të gjitha që qytetarët do ta ndjejnë veten krenarë që janë banorë të kryeqytetit. 

“Këto nuk janë premtime, janë punë që realizohen. Qytetarët më njohin, kur them diçka ajo punë bëhet” – tha Haradinaj.  /Aleanca.Press/