Dënohet dhuna e tifozëve, por ka mirëkuptim për pakënaqësinë e tyre

Dënohet dhuna e tifozëve, por ka mirëkuptim për pakënaqësinë e tyre

Manchester, 3 maj – Dhuna gjatë protestave të së dielës nga tifozët e Manchester Unitedit, e cila çoi në shtyrjen e ndeshjes së Premier Leagues ndaj Liverpoolit, është dënuar nga ministri i sporteve i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe kryebashkiaku i Manchesterit. Tifozët e Unitedit, që protestonin kundër pronarëve amerikanë të klubit, familjes Glazer, hynë në stadium i cili ishte i mbyllur për tifozët për shkak të kufizimeve për luftimin e përhapjes së COVID-19. Një mjet piroteknik u hodh në podiumin e transmetuesve, ndërsa tifozët vrapuan drejt fushës dhe protestuesit u përleshën me policinë jashtë stadiumit.

Policia e Manchesterit tha të hënën se dy oficerë u plagosën me një që kërkoi trajtim në spital pasi u sulmua me një shishe dhe pësoi plagë në fytyrë.

“Pasionet po rriten në futboll, por ka mënyra për të protestuar dhe për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet pa dëmtuar ose rrezikuar të tjerët”, tha Nigel Huddleston, ministër i Turizmit dhe Sportit. “Ne i kuptojmë zhgënjimet, por dhuna nga një pakicë e vogël e tifozëve në ‘Old Trafford’ dje ishte e papranueshme”.

Protestat e tifozëve kundër familjes Glazer, të cilat janë zhvilluar që kur ajo e bleu klubin në vitin 2005, janë ringjallur që nga përfshirja e Unitedit në përpjekjen për të krijuar një Superligë Evropiane të shkëputur nga ligat e tjera të Evropës.

Kryeministri britanik Boris Johnson, i cili kundërshtoi publikisht planet e Superligës, tha se ai i kupton shumë mirë motivet prapa protestave.

“Nuk mendoj se është ide e mirë të kesh sjellje përçarëse, demonstrata të këtij lloji, por nga ana tjetër unë e kuptoj forcën e tifozëve. Unë mendoj se është një gjë e mirë që ne kemi qenë në gjendje të bëjmë gjëra që e bëjnë shumë të qartë se Superliga Evropiane nuk do të vlerësohet nga njerëzit e këtij vendi”, tha Johnson.

Kryebashkiaku i Manchesterit, Andy Burnham, gjithashtu shprehu mbështetje për qëllimet e protestuesve, por kritikoi dhunën e shfaqur.

“Unë i kuptoj plotësisht shqetësimet e përhershme të mbështetësve të Manchester Unitedit në lidhje me pronësinë dhe financimin e klubit të tyre. Është e rëndësishme të bëhet e qartë se shumica e mbështetësve e bënë protestën e tyre në mënyrë paqësore. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për veprimet e një pakice që plagosi oficerë policie dhe rrezikoi sigurinë e të tjerëve”, shtoi Burnham.

Ministri i Zyrës së jashtme britanike, James Cleverly, tha se kishte nevojë për të kuptuar gjendjen shpirtërore të mbështetësve të futbollit.

“Ne nuk mund t’i falim imazhet që kemi parë në lidhje me sulmet që ndodhën. Por ne duhet të kuptojmë zhgënjimet që tifozët kanë jo vetëm me Manchester Unitedin, por me një numër klubesh gjatë gjithë kohës”, tha Clerverly.

Ndërkohë, policia e Manchesterit nëpërmjet një komunikate tha se sjellja e tifozëve ishte “e pamatur dhe e rrezikshme”.

“Ne kemi nisur një hetim dhe do të punojmë ngushtë së bashku me partnerët për të siguruar vendosjen e rrethanave të plota për ngjarjet që ndodhën dhe për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e policisë.

Asnjë vendim nuk është marrë ende për orarin e ri të ndeshjes ose për ndonjë sanksion për ngjarjet e së dielës. Qindra tifozë arritën të futen në stadium duke brohoritur “i duam Glazerët jashtë” duke iu referuar familjes nga Florida që shpenzoi 790 milionë dollarë për blerjen e Manchester Unitedit. Ishte kjo protesta e tretë e tifozëve të Unitedit për më pak se një javë.

“Le të jemi shumë të qartë se askush nuk dëshiron që ajo që ndodhi në ‘Old Trafford’ të dielën të jetë një ngjarje e rregullt”, thuhej në letrën e hapur të tifozëve të Unitedit drejtuar kryetarit Joel Glazer.

“Ajo që ndodhi ishte kulmi i 16 vjetëve në të cilët marrja në pronësi të klubit nga familja juaj ka çuar në borxhe dhe në rënie. Ne jemi ndier gjithnjë e më të mënjanuar dhe të injoruar. Ky zhgënjim arriti pikën e vlimit të dielën”.

Tifozët e klubit kishin veshur fanellat me ngjyrë të gjelbër dhe ari të Newton Heath, klubi që u shndërrua në Manchester United 24 vjet pas themelimit.

Unitedi ishte një organizatë pa borxhe para marrjes nga familja Glazer. Kurse llogaritë e klubit në muajin mars zbuluan një borxh aktual prej 455 milionë funtesh. Mbështetësit e zhgënjyer nga blerja e klubit nga familja Glazer, tashmë e kanë formuar ekipin FC United of Manchester, që bën gara në divizionin e shtatë. Prej vitit 2013, Unitedi nuk ka fituar titull, ndërsa në dekadën e fundit ka mbetur nën hijen e rivalit lokal, Manchester Cityt./Aleanca.press/