Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, 10-vjeçarja nga Peja i surprizon me dhurata e ushqime

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, 10-vjeçarja nga Peja i surprizon me dhurata e ushqime

1 tetori, e cila njihet si Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar, në Rezidencën e të Moshuarve në qytetin e Pejës u shënua në një mënyrë më të veçantë falë kontributit të 10-vjeçares, Arnisa Asanaj, e cila surprizoi banorët e rezidencës së moshuarve “Orenda-Pejë” me dhurata e ushqime.

Në rezidencën për të moshuarit në Pejë, 10 vjeçarja, Arnisa Asanaj, solli shumë energji pozitive, duke bërë që banorët të ndihen të vlerësuar me surprizat e përgatitura me dashuri nga ajo dhe nëna e saj.

Njoftimi për këtë akt të ëmbël është bërë i ditur nga faqja e kësaj qendre në Pejë, ku ndër të tjerash ata shkruajnë si në vijim:

“Duke shënuar ditën ndërkombëtare të të moshuarëve pra 1 Tetorin, sot në rezidencen tonë Orenda-Pejë ne pritëm një mysafire të veçantë, një vajzë të quajtur Arnisa Asanaj. Arnisa bashkë me dhuratat që kishte përgaditur për banorët tanë rezident ajo solli edhe shumë dashuri, përqafime, dhe mes lutjeve e  lotëve mallëngjyes u uronte shëndet e jetëgjatësi të moshuarëve . Të moshuarit janë përsona të dashur që kanë nevojë për kohën dhe kujdesin e të tjerëve. Për të shënuar një ditë ndaj tyre në kalendarin botëror, Kombet e Bashkuara kanë miratuar 1 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të Personave të moshuar. Të gjithë të moshuarve iu urojmë shëndet së pari e gjitha të mirat në jetë. Të jetoni gjatë që të mësojm shumë nga Ju!”.

Arnisa kishte përgatitur pankarta të ndryshme, në të cilat ajo i uron të moshuarve shëndet dhe jetë të gjatë.