Dy udhëheqësit kryesorë talebanë janë zhdukur

Dy udhëheqësit kryesorë talebanë janë zhdukur

Dy udhëheqës të lartë talebanë janë zhdukur nga syri publik. Kjo ka bërë që disa afganë të dyshojnë nëse udhëheqësi suprem i grupit dhe zëvendëskryeministri i ri janë gjallë.

Udhëheqësi suprem taleban, Mullah Haibatullah Akhundzada, nuk është parë në publik prej një muaji.

Sipas së përditshmes britanike “The Guardian”, zërat për vdekjen e tij janë hedhur poshtë nga një zëdhënës.

Mulla Abdul Ghani Baradar, një nga fytyrat më të njohura të talebanëve, gjithashtu është zhdukur.

Pyetjet në lidhje me shëndetin e kreut të zyrës politike dhe figurës kryesore në bisedimet e paqes filluan të shtohen pasi ai nuk u pa në publik prej disa ditësh.

Ka pasur zëra në Kabul se ai ishte vrarë ose plagosur rëndë në një përplasje me një figurë tjetër të lartë talebanë gjatë një debati se si të ndaheshin ministritë e Afganistanit.

Talebanët nxorrën fotografi të një shënimi të shkruar me dorë nga një prej deputetëve të Baradar-it që thoshte se ai ishte në Kandahar.

Mungesa e një video-je ngriti edhe më shumë paqartësitë tek afganët pasi talebanët nuk janë më një grup kryengritës që fshihen.

Reagimet
Zëdhënësi Suhail Shaheen i mohoi këto zëra në Twitter.

Mullah Bradar, zëvendëskryeministër, Emirati Islamik i Afganistan-it, në një mesazh zanor hodhi poshtë të gjitha ato pretendime se ai ishte plagosur ose vrarë në një përleshje. Ai thotë se janë gënjeshtra dhe krejtësisht të pabaza”, shkroi Shaheen.

Video-t dhe fotografitë e shpërndara në rrjet, nuk e qartësojnë kohën kur janë marrë.

Kjo nuk do të ishte një situatë e padëgjuar më parë mes talebanëve.

Më herët, vdekja e udhëheqësit themelues Mullah Mohammad Omar u fsheh për dy vjet.

Gjatë asaj kohe, talebanët vazhduan të lëshonin deklarata në emër të tij.

Sipas Rrjetit të Analistëve në Afganistan, Baradar konsiderohet se kishte humbur në mosmarrëveshjet e brendshme të talebanëve mbi formimin e qeverisë së re, .

Rrjeti i Analistëve të Afganistanit gjithashtu vuri në dukje se mungesa e Akhundzada-s nga të gjitha ngjarjet publike dhe private, gati një muaj pasi Kabuli ra, sugjeron që ai nuk ishte më gjallë.