E drejta e gruas në pronë, çështje e rëndësishme për barazi gjinore

E drejta e gruas në pronë, çështje e rëndësishme për barazi gjinore

Gratë në Kosovë ende nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare, si rrjedhojë përqindja e pronave e pronave të paluajtshme të regjistruara në emër të tyre, apo në emër të përbashkët të bashkëshortëve, ende është shumë e vogël.

Të dhënat tregojnë se vetëm 17 % e grave në Kosovë posedojnë pronë dhe kjo ndikon që fuqizimi i gruas ekonomikisht të mbetet mbrapa. Duke marrë parasysh këtë, ligjet që janë të përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës siç është Ligji për Trashëgimi dhe ligjet e tjera për këtë çështje janë shumë pak të zbatueshme dhe pak të realizuara.

Pronësia i fuqizon gratë dhe ju krijon siguri, mirëpo, fatkeqësisht në Kosovë kur bëhet fjalë për të drejtën në pronë të gruas diskriminimi është në përqindje të madhe. Ajo që ka ndikuar për këtë gjendje është po ashtu edhe mbizotërimi i traditës, pra raste kur vendoset me vullnet të lirë të trashëgimlënësit, kur ndarja e trashëgimisë rëndom bëhet vetëm mes trashëgimtarëve meshkuj, duke mos përfshirë trashëgimtarët gra/vajza.

Sipas Drejtoreshës Ekzekutive ne Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli mungesa e vetëdijes, informacionit, besimit dhe përvojës nga gratë për ligjet dhe të drejtat e tyre ndikon në bindjet e gruas se pronësia është vetëm për burrat.

Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive në KGSCenter

Ligjet e pazbatueshme shpesh shoqërohen edhe me mungesë të vetëdijes për ligjet që ekzistojnë. Në mesin e grave, ende ka mungesë të vetëdijes për të drejtat e tyre për pasojat që mohimi i të drejtave për të trashëguar dhe për të pasur pronë. Për më tepër, shumë gra nuk kanë informacion, besim, përvojë dhe burime për të marrë të drejtat e tyre ligjore. Pak gra kanë qasje në këshilla juridike përballë bindjeve të ngulitura në publik që pronësia e pasurisë është një fushë ekskluzivisht për burrat. Ndërgjegjësimi do të duhej të jetë jo vetëm për mbajtësit e të drejtave por edhe për profesionistët, hartuesit e politikave, gjyqtarët, noter të gjithë ata që kanë lidhje me të drejtat e barabarta të trashëgimisë”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, Demolli shtoi se mënyra më e mirë për të ndryshuar këtë gjendje është zhdukja e normave shoqërore diskriminuese dhe legjislacioni i duhur dhe efektiv, informimi dhe ndërgjegjësimi i grave është rruga për të dalë nga ky debutim i paraqitur nga një shoqëri patriarkale.

Luljeta Aliu, aktiviste e të drejtave të grave nuk pajtohet me pretendimet se me Kodin Civil është rregulluar në mënyrë të pakontestueshme qasja e barabartë në pasuri të përbashkët dhe e drejta në mbajtje financiare.

Luljeta Aliu, aktiviste e të drejtave të grave

Kodi Civil nuk është fare modern, siç ne kemi besuar se çdo projekt i ri duhet të jetë. Kosova ka nevojë për avancim, jo për degradim të proceseve. Ky Kod Civil nuk është bërë për të gjithë qytetarët. Ky Kod Civil është bërë vetëm për ata burra që nuk e kuptojnë rëndësinë e avancimit të grave dhe e marrin në qafë një popull të tërë. Dëshmia për këtë konsiston në faktin se Kodi Civil përpos që është rikthim në gjendjen paraprake dhe në shkeljet ndaj grave në gjykata, po ashtu e ka çimentuar dyfish epërsinë dhe mundësinë për presion nga ana e burrave duke e futur në Kod Civil edhe kontratën paramartesore dhe martesore”, ka thënë ajo.

Së fundmi, ajo ka bërë një lutje publike që të nënshkruhet peticioni kundër votimit të këtij Kodi Civil, pasi sipas saj, është në dëm të barazisë gjinore dhe e anulon ndryshimin e Ligjit për Familjen, të cilin e kanë votuar të gjithë deputetët e Kuvendit unanimisht.

Ajo tha se gratë duhet të jenë të vetëdijshme se votimi i këtij Kodi Civil ua mohon qasjen në të drejtat e tyre në pronë dhe në financa.

Gjithashtu përmes një reagimi publik të Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, Kodi civil e ka kthyer në pikën zero betejën për sigurimin e qasjes së barabartë në të drejtat pronësore dhe pasurore të grave.

Sipas saj, me Kodin Civil është përfshirë edhe Kontrata paramartesore dhe martesore për ndarjen e pasurisë. Ajo tha se kjo e pamundëson zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Kosovës, sepse i lë gratë pa qasje të garantuar në pasuri dhe rrjedhimisht ato nuk mund të jenë akterë aktivë ekonomikë.

Por, në vitin 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve. Qëllimi i këtij udhëzimi është që të rritet numri i grave të regjistruara si pronare të përbashkëta dhe që të përshpejtohet vënia e barazisë midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore. Ky udhëzim është ndryshuar vit pas viti për të zgjatur periudhën e zbatimit sepse ka ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të regjistrimit të pronës së përbashkët.

Arbena Shehu, notere ka pohuar se Udhëzimin Administrativ e sheh si mjaftë efikas në vetëdijesimin e opinionit dhe fuqizimin e rolit të gruas ne shoqëri dhe qe fuqizimi i gruas në një shtet demokratik luan rol kyç edhe ne zhvillimin e shoqërisë dhe ne zhvillimin ekonomik te vendit. Ajo ka potencuar se në vetëdijesimin e bashkëshortëve për regjistrimin e pronave ka pasur dhe do të ketë rol sistemi noterial dhe noterët e Kosovës kjo për arsye se luajnë rol të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.

Arbena Shehu, notere

Nga ana ligjore, neni 7.2 i Kushtetutës së Kosovës ndalon në mënyrë të qartë diskriminimin e grave. Por, pavarësisht nga masat mbrojtëse legjislative për gratë, ende vazhdon tradita kulturore e dhënies së përparësisë ndaj trashëgimtarëve meshkuj.

E drejta e femrës në trashëgimi në Kosovë vazhdon ende të jetë një temë tabu, si në familje, ashtu edhe në shoqëri. Tek ne, kauza për te drejtat e gjinisë femërore dhe më saktësisht vajzave të reja dhe grave ka kaluar në shume faza, duke filluar prej te mungesa e arsimimit për shkak mentalitetit, deri tek e drejta e vajzave dhe grave në pronë ku në shumë raste janë anashkaluar si pasojë e mos barazisë gjinore.

Ky publikim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e Debate Center dhe Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.