Edhe 50 mijë vaksina AstraZeneca arrijnë në Shqipëri

Edhe 50 mijë vaksina AstraZeneca arrijnë në Shqipëri

Në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur edhe 50,000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, donacion i Republikës së Indisë.

Vaksinat në Rinas janë pritur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, dhe Ambasadori i Republikës së Indisë në Bukuresht, Rahul Shrivastava.

Ambasadori Shrivastava u shpreh se është i lumtur që mundën t’i sjellin vaksinat në kohë.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi pasur mundësinë t’i sjellim në kohë vaksinat në Shqipëri. Sepse, siç po i thosha ministres, rastet në Indi janë duke u rritur dhe ne e kemi pezulluar eksportimin e vaksinave për vendet e tjera. Por, Shqipëria është një mik i veçantë…”.

Ndërsa, ministrja Manastirliu u shpreh se vaksinat do të jenë pjesë e gjithë procesit të validimit dhe do të shpërndahen në qendrat e vaksinimit. Deri më tani në vendin tonë, sipas ministres, kanë ardhur 400 mijë vaksina. Prej tyre janë administruar 320 mijë.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se me ardhjen e mbi 200 mijë dozave të tjera, këtë javë nis vaksinimi anti-covid edhe për punonjësit e transportit publik, si fillim ai ajror.

“Javën që vjen, duke filluar nga nesër, presim mbi 200 mijë doza vaksine. Po vijohet me operatorët turistikë, dhe do të shtrihemi javën e ardhshme edhe në targetin e punonjësve të transportit publik, duke filluar me punonjësit e transportit ajror, me punonjësit e Air Albania”./Aleanca.press/