Gjakovë/ E marrin “peng” pronarin e lokalit, tentojnë t’ia grabisin paratë nën kërcënimin e armës

Gjakovë/ E marrin “peng” pronarin e lokalit, tentojnë t’ia grabisin paratë nën kërcënimin e armës

Një person me inicialet G.A., 29-vjaçar është arrestuar nga Policia e Gjakovës, pasi që i njëjti dyshohet se bashkë me një person tjetër, i cili është në arrati kanë kryer veprat penale “Grabitje në tentativë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Raportohet se para dy ditësh rreth orës 18:00 në fshatin Ponoshec të Gjakovës, dy persona kanë shkuar në lokalin e një personi, të cilin e kanë ftuar në veturën e tyre për një bisedë.

Më pas, sipas policisë, personat e dyshuar e kanë dërguar viktimën në një lokacion rreth 5 kilometra larg nga aty dhe njëri nga të dyshuarit e ka nxjerr revolen duke ia drejtuar viktimës dhe duke i kërkuar të gjitha paratë që i kishte me veti.

Viktima ka deklaruar në polici se e ka shfrytëzuar rastin dhe ka arrit të dalë nga vetura dhe më pas ka dëgjuar një të shtënë me armë zjarri.

Viktima pas një kohe është paraqitur në Stacionin Policor në Gjakovë, ku më pas njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes për t’i kërkuar të dyshuarit, por nuk kanë arrit t’i gjejnë.

Ndërkohë, lidhur me rastin është arrestuar 29-vjaçari, i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërkaq, personi i dytë është ende në arrati./Aleanca.press/