Gratë në politikë dhe të drejtat e tyre ndër vite!

Gratë në politikë dhe të drejtat e tyre ndër vite!

Përfshirja e grave në qeverisje nuk është e barabartë me përqindjen që ka popullata femërore në shumicën e vendeve të botës. 

Gratë janë diskriminuar edhe në të drejtën e tyre për votim. Shteti i parë që ka lejuar përfshirjen e grave në zgjedhje është Zelanda e Re në vitin 1893. Por, ka edhe shtete që sot nuk ekzistojnë, që kanë lejuar votimin e grave edhe para Zelandës së Re, si Ishujt Pitkairn (1838), Mbretëria e Havait (1840) dhe Dukata e Madhe e Toskanisë (1848).

Është interesante se Shqipëria radhitet në listën e shteteve të para që kanë njohur të drejtën e grave për votim, që nga viti 1920, para shumë shteteve të BE-së si Italia, Spanja, Rumania, Greqia, Bullgaria e Franca. 

Gratë kosovare patën rastin të votojnë për herë të parë në vitin 1945, në kohën kur Kosova ishte në përbërje të ish Jugosllavisë. Ato zgjedhje nuk konsiderohen demokratike për shkak të sistemit një partiak që kishte Jugosllavia në atë kohë.  

Sa i përket shteteve të Ballkanit, Shqiperia garantoi me kushtetutë të drejtën e grave për votim që nga viti 1920. Në të njëjtin vit, filluan të votojnë edhe gratë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë në SHBA, përkatësisht në shtetet jugore të saj, gratë me ngjyrë ushtruan të drejtën e tyre në votim vetëm pas vitit 1965.

Rumania filloi të lejojë gratë të votojnë në zgjedhje lokale (me disa kufizime) që nga viti 1929, për të lejuar votimin e tyre edhe në zgjedhjet qendrore nga viti 1939. Kufuzimet u hoqën vetëm nga viti 1946. 

Gratë që dinin shkrim-leximin në Greqi, u lejuan të votojnë që nga viti 1930, ndërsa nga viti 1952 iu është lejuar votimi pa kufizime. 

Turqia lejoi pjesëmarrjen e grave në zgjedhje lokale nga viti 1930 dhe në zgjedhje qendrore që nga viti 1934.

Bullgaria lejoi votimin e grave të martuara që nga viti 1937, për të hequr kufizimet nga viti 1944.

Jugosllavia është shteti i fundit ballkanik që lejoi votimin e grave. Fjala është për vitin 1945, praktikë që u ndjek edhe nga shtetet që e trashëguan këtë federatë: Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia Veriore. 


Fakte të çuditshme rreth (mos) pjesëmarrjes së grave në votim

  • Zvicrra lejoi pjesëmarrjen e grave në zgjedhje ne nivel federal vetëm nga viti 1971. Ndërsa në nivel kantonesh, lejimi filloi nga viti 1959 e deri në vitin 1990 kur u lejua votimi i grave në Kantonin Appenzell. 
  • Lihtenshtajni lejoi votimin e grave vetëm nga viti 1984.
  • Shtetet e fundit që kanë lejuar votimin e grave janë Katari (2003), Kuvajti (2005), Emiratet e Bashkuara Arabe (2006) dhe Arabia Saudite (2011). 
  • Zgjedhja e Papës, liderit shpirtëror katolik, bëhet nga Kolegji i Kardinalëve, që përbëhet vetëm nga meshkuj. 


Pjesëmarrja e grave në parlamentet e shteteve

Sipas të dhënave të qershorit 2020, janë tri shtete ku gratë dominojnë në parlamente: Ruanda, 55.7%, Kuba me 53.2% dhe Bolivia me 51.8%.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjysma e deputeteve janë gra, ndërsa përqindje të lartë të grave në Parlament kanë edhe Meksiko 48.2% dhe Nikaragua 47.3%.
Sa i përket pjesëmarrjes së grave në parlamentet e shteteve të Evropës, lista është me sa vijon: Suedia 47%, Andorra 46.4%, Finlanda 46%, Spanja 44%, Zvicrra 41.5%, Norvegjia 41.4%, Belgjika me 40% e kështu me radhë. Në vendin e fundit janë Hungaria me 12.1% dhe Lihtenshtajni me 12%.

Në shtetet e Ballkanit prin Maqedonia Veriore. 40% e Parlamentit janë gra. Lista vazhdon me sa vijon: Serbia 37.7%, Kosova 30%, Mali i Zi 29.6%, Shqipëria 29.5%, Bullgaria 26.7%, Rumania 21.9%, Bosnja 21.4%, Greqia 20.7% dhe Kroacia me 19.2% . E fundit është Turqia me vetëm  17.3% të përfshirjes së grave në Parlament. 

Shtetet që nuk e kanë asnjë deputete në Parlament janë: Vanuatu, Papua Guinea e Re dhe Mikronezia. Shtetet që kanë më pak se 5% të Parlamentit deputete gra janë: Jemeni, Omani, Nigeria, Maldivet dhe Libani. 

E çuditshme është pjesëmarrja e ulët e grave në Parlamentin e Japonisë. Në dhomën e ulët janë vetëm 9.9% femra, ndërsa në dhomën e lartë vetëm 22.9%. 

Femrat në ekzekutiv

Së paku 70 shtete kanë pasur kryeministre, që nga viti 1960 kur Sirima Bandaranaike e Shri Lankës u zgjodh kryeministrja e parë në Botë. 

Sot në detyrën më të lartë ekzekutive janë 24 gra anekënd botës. Nga to më së gjati ka qëndruar në pozitë kancelarja gjermane Angela Merkel, që nga viti 2005, ndërsa Sheikh Hasina e Bangladeshit që nga viti 2009. Ajo ka qenë kryeministre edhe gjatë viteve 1996 – 2001. Poashtu Erna Solberg, është kryeministre në Norvegji që nga viti 2013. Kryeministrja e fundit e zgjedhur është ajo e Danimarkës, lidere e socialdemokratëve, që mori mandatin me 27 qershor 2019, pasi partia e saj doli e para në Danimarkë me 25.9%, në zgjedhjet e 5 qershorit të vitit të kaluar. 

Shumë gra që kanë udhëhequr ekzekutivin në vendet e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë botërore. Sirimavo Bandaranaike, gruaja e parë kryeministre në botë, ka udhëhequr ekzekutivin e Shri Lankës në vitet 1960-1965, 1970-1977 dhe 1994-2000. 

Indira Gandi ka qenë kryeministre e Indisë gjatë viteve 1966-1977 dhe 1980-1984. 

Golda Meir ka udhëhequr Izraelin në vitet 1969-1974, ndërsa presidentja e parë në botë ishte Isabel Martinez de Peron. Ajo ishte presidente e Argjentinës gjatë viteve 1974-1976. 

Margaret Thatcher ishte e para grua që u zgjodh kryeministre në Evropë, e gjithashtu e vetmja në Britaninë e Madhe që fitoi 3 mandate radhaz gjatë shekullit 20. Ajo qëndroi në detyrë në vitet 1979 – 1990.

Kanë mbetur në kujtesë edhe presidentja e Filipineve Corazon Aquino 1986 – 1992 si dhe e para kryeministre që lindi fëmijë përderisa ishte në detyrë Benazir Buto e Pakistanit që udhëhoqi Republikën Islamike në vitet 1988-1990 dhe 1993-1996. 

Republika e Kosovës, ka pasur presidente nga 7 prill 2011 deri më 7 prill 2016. Ajo ka qenë Atifete Jahjaga, një kolonele policie, e votuar me koncenzus të partive. Zgjedhja e saj, ka ndikuar në ngritjen e imazhit të Kosovës tek shtetet e përparuara dhe demokratike.

/Aleanca.press/