Haradinaj: Fryma e Kushtetutës së Kaçanikut na obligon të ruajmë jetën njerëzore, demokracinë dhe institucionet demokratike

Haradinaj: Fryma e Kushtetutës së Kaçanikut na obligon të ruajmë jetën njerëzore, demokracinë dhe institucionet demokratike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur mirënjohje për të gjithë deputetët e 7 shtatorit 1990, që vunë gurthemelin e Kushtetutës së Kaçanikut.

Haradinaj tutje tha se është obligim i gjithë se cilit nga ne që ta ruajmë si ndër gjërat më të shenjta, lirinë, demokracinë dhe institucionet demokratike.

Duke shprehur mirënjohje të përjetshme për deputetët e 7 shtatorit 1990, kujtojmë sot aktin themeltar të shtetit, Kushtetutën e Kaçanikut, nga më të avancuarat në rajon për rrethanat kohore.

Duke kujtuar, kohërat e vështira të okupimit, rrugën e vështirë deri te liria, nderojmë sakrificën e secilit që dha mundin, gjakun dhe jetën, që ne të kemi shtet dhe kushtetutë.

Duke respektuar përpjekjet shekullore për liri, frymën e Kushtetutës së Kaçanikut, është obligim i joni që t’i ruajmë si gjërat më të shenjta, lirinë, demokracinë dhe institucionet demokratike”, tha Haradinaj.

Ruajtja e rendit kushtetues demokratik, bëhet së pari duke respektuar vlerën e jetës njerëzore, në përballjen tonë me sfidën e shekullit.

Kushtetuta e Kaçanikut, kishte për qëllim të na bënte shtëpi. E sot shtëpia jonë e përbashkët, Republika e Kosovës, duhet të jetë vatër e ngrohtë për secilin, që ofron mundësi për jetë, punë e ardhmëri”, shtoi ai.

Kujtojmë se, sot janë bërë 31 vite nga themelimi i Kushtetutës së Kaçanikut./Aleanca.press/