Haradinaj: I vetmi produkt rus këtu është qeveria Kurti

Haradinaj: I vetmi produkt rus këtu është qeveria Kurti

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ftuar në emisionin “CONTEXT” në ATV ka reaguar rreth deklaratës së Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli për tërheqjen e vendit nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Madje, Haradinaj e ka quajtur mashtrues Kryeministrin, Albin Kurti.

Kjo është e dhimbshme dhe më vjen keq, vërtet është e dhimbshme çka po dëgjojmë nga një ministre e Kosovës, këta janë mashtrues, Albini është mashtrues dhe e kam thënë shumë herët që është mashtrues, por kjo (Artane Rizvanolli), po më dhimbset që ka hyrë në rolin e mashtrimit në emër të shefit. Parat e Amerikës fillimisht iu janë dedikuar Kosovës pastaj është përzgjedhur sektori dhe projekti dhe përzgjedhja e këtij projekti ka zgjatur 3 vite, pra 3 vite ka zgjatur deri te mundësia që Amerika me i dhënë 200 milionët e veta për gazsjellësin (…) çdo avancim në projekt është bërë i përbashkët janë grupet punuese prej dhjetëra ekspertëve vendor e amerikan (…) Qeveritë e mëhershme nuk e kanë zgjedh si qeveri por si Kosovë këtë projekt dhe sugjerimi që me zgjedh këtë projekt ta kanë dhënë ekspertët që e kanë ditur që do të vij kriza energjetike,”– tha Haradinaj.

Duke komentuar njollosjen e projektit nga Qeveria Kurti, si projekt rus, Haradinaj tha se I vetmi produkt rus këtu është Qeveria Kurti.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur edhe rreth Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi që është ratifikuar gjatë vitit 2018-të.

Është shpifur shumë dhe është thënë që u falën 8 mijë hektarë tokë, u tha u bë kjo e u bë ajo, u tërhiqen e lëshuan bajrakun (…) Vetëm ta kupton Kosova, se nuk e kam asnjë arsye tjetër se nuk ndihem as tradhtar, as në jetën time nuk do t’i fal askujt një metër tokë të Kosovës. Kam luftuar për çdo pëllëmbë të këtij vendi dhe to të luftojë, por ajo pse po e shpjegoj është krejt diçka tjetër. Mos ta humbim të drejtën tonë, ekziston e drejta jonë në bazë të ligjit ndërkombëtarë. Ne kemi votuar tre dokumente dhe këto i kam arrit në përkrahje të partnerëve qeverisës,”- tha Haradinaj.

Për temën e dialogut me Serbinë, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është shprehur se zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi nuk është i duhuri që të përfaqësojë Kosovën në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, unë kam shpresu me të vërtetët që do ta marrë me vete Vasfijën apo Saranda Bogujevcin në dialog, jo këtë Bislimin se i tmerrshëm është, unë mendoj që ai asgjë nuk din dhe mendoj që është duke e marrë në qafë edhe Kurtin,”– u shpreh Haradinaj.