Haradinaj kujton heronjtë Ilir Kunushevcin dhe Hazir Malën në 24 vjetorin e rënies së tyre

Haradinaj kujton heronjtë Ilir Kunushevcin dhe Hazir Malën në 24 vjetorin e rënies së tyre

Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci dhe mjekut Hazir Mala.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar heronjtë në 24 vjetorin e tyre.

Ai tha se populli shqiptar, edhe pse i ndarë, gjatë Luftës Çlirimtare veproi si një trup.

Tutje Haradinaj tha se në ditën e rënies së tyre në Llapushnik po zhvillohej një betejë e cila i dha kahje të re luftës tonë për liri.

“Populli shqiptar, edhe pse i ndarë, gjatë Luftës Çlirimtare veproi si një trup. Duke kujtuar sot figurat emblematike të lirisë sonë, Gjeneral Major Ilir Konushevci e Doktor Hazir Mala, kujtojmë përpjekjen e shqiptarëve të bashkuar me shpirt e pushkë, për ta fituar lirinë dhe për ta mbrojtur atë përjetë.

Në ditën e rënies së tyre, në Llapushnik po zhvillohej një betejë e cila i dha kahje të re luftës tonë për liri. Njëzetekatër vjet më parë, trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ndërpren armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit dhe logjistikës. Me përulje e respekt kujtojmë e nderojmë të gjithë të rënët gjatë kësaj beteje, lavdia e së cilës do të mbijetojë shekujt”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.