Haradinaj kujton masakrën e Dubravës: Është dokumentuar deri në detaje, askush ende nuk është gjykuar

Haradinaj kujton masakrën e Dubravës: Është dokumentuar deri në detaje, askush ende nuk është gjykuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar krimet me makabre të Serbisë në Kosovë, në burgun e Dubravës.

Haradinaj ka kujtuar po ashtu edhe dhunën gjakatare në qytetin e Vushtrrrisë.

"Për disa ditë me radhë, në javën e tretë të majit, në burgun e Dubravës ndodhi një prej krimeve më makabre që pushtuesi serb bëri kundër shqiptarëve. 22 maji 1999, gjithashtu kujtohet për dhunën e gjakatarëve, që kaploi dhe qytetin e Vushtrrisë, në tentim të zhdukjes së qenies shqiptare".

"Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara deri në detaje, askush ende nuk është gjykuar. Dhembja për të rënët është e madhe, e mosvendosja e drejtësisë vetëm se mban të freskëta plagët e shpirtit", ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Haradinaj ka shtuar se Kosova vazhdon betejën për të vërtetën.

"Rruga deri te liria ishte e vështirë dhe me shumë sakrifica. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet, e Kosova vazhdon betejën për të vërtetën.

Lavdi të rënëve për liri!", ka përfunduar Haradinaj.