Haradinaj, një President për Kosovën si projekt i përfunduar!

Haradinaj, një President për Kosovën si projekt i përfunduar!

Shkruan: Halil Matoshi

Konsensusi për Ramush Haradinajn. Presidenti është pajtim për ekzistencën e shtetit kosovar dhe mbrojtje brilante e vlerave të Luftës së UÇK-së.

1.Kosova është shtet parlamentar dhe me votën e drejtpërdrejtë zgjedh përfaqësuesit e popullit në Kuvend. Mirëpo Kuvendi i dalë nga populli zgjedh një President me 80 vota në rrethin e parë e të dytë dhe 61 në rrethin e tretë, me kusht që 80 deputetë të jenë të pranishëm për forum. President mund të zgjidhet secili qytetar i Kosovës i cili arrin të marrë votat në Kuvend, prandaj pretendimi se duhet zgjedhur dikush që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet parlamentare është kot.

2. Kosova ka zgjedhur një Presidente (Atifete Jahjaga) pa marrë fare pjesë në zgjedhje (me mandat të plotë pesëvjeçarë) dhe një tjetër President të dështuar proceduralisht (Behxhet Pacollin) me vota të papërfillshme në zgjedhje!? Së këndejmi në momentumin e dhënë, zgjedhja e Ramush Haradinajt President do ta baraspeshonte fuqinë politike në vend si dhe do ta përmbushte modusin demokratik ‘balancë dhe kontroll’.

3. Kur Kosova përballet me dialogun me Serbinë, ndërsa disa nga liderët e UÇK-së janë në Hagë, moszgjedhja e Haradinajt (një nga komandantët kryesor të luftës) do të ishte sinjal i pafuqisë së Kosovës, në këtë proces dhe do t’i jepte Vučić -it krah në delegjitimimin e luftës çlirimtare të kosovarëve duke e bërë atë triumfues në paqe! Njeriu që ishte lojtari kyç në krijimin e ushtrisë së Kosovës, Ramush Haradinaj (atëherë kur liderë të LDK-së e PDK-së u zmbrapsen nga frika e konfliktuimit me Perëndimin, zatën Sekretari i NATO-s, Rasmussen dhe mekanizmat e BE-së dolën kundër idesë së themelimit me ligj të ushtrisë së Kosovës) duhet ta marrë mandatin në krye të shtetit, për ta deplasuar idenë serbe se ky është fundi i UÇK-së dhe frymës së saj dhe për t’i dhënë edhe një goditje shtrirjes së ndikimit rus në rajonin e Ballkanit qendror si dhe si kundërpërgjigje ‘kërcënimeve hibride’ ruse ndaj shteteve potencialisht aleate të NATO-s.

4. Kur në Serbi kemi një lider të fuqishëm si Vučić. që ka një kontroll të madh tek të gjithë komponentët e shtetit, konsideroj se Kosovës i duhet një President me pedigre lufte e paqeje, koheziv dhe i vendosur, intuitiv dhe me sensin e sakrificës! Kosova dhe Serbia nuk dialogojnë për modelet e demokracive dhe as për të drejtat e njeriut por për territorin dhe sovranitetin dhe kur kihet parasysh se Haradinaj e sakrifikoi postin e Kryeministrit për t’iu bërë mburojë mbrojtjes së tokës së Kosovës (përmes taksës 100% ai delegjitimoi ndarjen) duke ia marrë nga duart Vučić-it armën më të fortë që Serbia e kishte farkëtuar në këto dy vjet, “këmbimin e territoreve” duke e dërguar shtetin kosovar në shpërbërje!? Asnjë argument valid kundër zgjedhjes së Haradinajt për President askush nuk e ka në Kosovë, pos populizmave e brohoritjeve elektorale “t’i provojmë edhe këta”!?/Aleanca.press/