Haradinaj-Stublla shpallet e pafajshme

Haradinaj-Stublla shpallet e pafajshme

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla, është shpallur e pafajshme lidhur me akuzën për mos raportim të pasurisë.

Aktgjykimi u shpall sot, nga gjykatësja Lumnije Krasniqi.

Ajo tha se nuk është provuar se e akuzuara Haradinaj-Stublla është fajtore.

Gjykata ka vlerësuar se mosveprimet e përshkruara si në dispozitiv të aktgjykimit të të akuzuarës Meliza Haradinaj-Stublla me provat e proceduara të cilat gjykata ua fali besimin, nuk u provua se ekzistojnë elementet e veprës për të cilën është akuzuar”, deklaroi gjykatësja Krasniqi.

Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohej me burgim, ku do të llogaritej shume prej 20 euro për një ditë burgim.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.