Hysen Beqa boton romanin e tij të dytë

Hysen Beqa boton romanin e tij të dytë

Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka dal nga shtypi libri me titullin “Shkrimtari” i autorit Hysen Beqa.

Libri i tij i dytë vjen pas suksesit të "Misiri i Vogël", që u botua përpos në shqip edhe në shumë gjuhë botërore.

Botuesi i librit thotë se ka qenë karantina dhe izolimi total, që ka motivuar autorin për ta shkruar këtë libër. Është një libër me evokime, me vështrime, me reagime ndaj dukurive sociale dhe të metave të shoqërisë shqiptare.

Autori ka pasur kohë të pushojë, të mendojë, të vëzhgojë, të kritikojë dhe të sugjerojë. Libri flet për jetën e autorit dhe të rrethit të vet të ngushtë, familjes, shokëve dhe kolegëve. Autori mbledh, arkivon, përzgjedh dhe shpërndan tema dhe lajme nga Kosova.

‘Korona’, apo gripi i ardhur nga Kina, është kudo në roman. Janë edhe dëmet që ajo ua ka shkaktuar njerëzve, familjeve, shtetit, institucioneve dhe ekonomisë së vendit. Por, larg pesimizmit, në libër gjejmë edhe shpresën reale për të vazhduar më tutje.

‘Shkrimtari’ i sapo dalë nga shtypi, nga sot nis rrugëtimin fizik nëpër Prishtinë, e brenda pak ditëve edhe nëpër Kosovë dhe Shqipëri. Botuesi ka bërë të ditur se nëse interesimi për këtë roman, do të jetë sikur për "Misiri i Vogël", atëherë edhe ky do të përkthehet brenda vitit në disa gjuhë botërore.

Redaktori Albin Mehmeti që ka shkruar edhe parathënies, ka çmuar guximin e autorit për të trajtuar në këtë roman shumë tema dhe për t’i sjellë para nesh shumë dukuri të mbrapshta të cilat i bëjnë dhe kryejnë politologët, politikanët, analistët, gazetarët e kush jo tjetër.

Lexim të këndshëm.

/aleanca.press/