I infektohen me koronavirus pjesëtarë të stafit, Putini futet në vetizolim

I infektohen me koronavirus pjesëtarë të stafit, Putini futet në vetizolim

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të futet në vetizolim për shkak se në rrethin e tij të ngushtë janë regjistruar raste me koronavirus.

Kremlini njoftoi të martën se për këtë arsye, presidenti rus nuk do të udhëtojë këtë javë për në Taxhikistan, ku kishte planifikuar të merrte pjesë në takime për sigurinë rajonale, shkruan Reuters.

Ndryshe, Putini ka thënë vitin e kaluar se është vaksinuar kundër Covid-10 me njërën nga vaksinat ruse, por këtë gjë nuk e ka bërë publikisht para kamerave.

Rusia ishte shteti i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër sëmundjes së re në gusht të vitit të kaluar, ndonëse ekspertët e kritikuan këtë veprim, duke thënë se ilaçi i ri ishte miratuar pa përfunduar faza e tretë e testimit.

Për më tepër, Rusia është në mesin e shteteve me më së shumti të infektuar e të vdekur nga Covid-19 në botë.