Infermierët në protestë, nuk morën paga për 3 muaj

Infermierët në protestë, nuk morën paga për 3 muaj

Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar ndaj luftës së pandemisë COVID-19 do të protestojnë nesër para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo për shkak së për 3 muaj nuk morën paga.

“Sindikata e Infermierëve të Kosovës dështimin në ekzekutim të pagave tash e pothuajse 3 muaj për stafin mbështetës pranuar nga MSH si mbështetje në luftimin e pandemisë COVID-19 e konsideron të paarsyeshme dhe qasje neglizhuese në raport me këta profesionist”, shkruan sindikata e infermierëve.

Sipas njoftimit të tyre, sindikata ka kërkuar me kohë nga institucionet përmes deklarimeve publike që ekzekutimi i pagave të bëhet urgjentisht duke pas parasysh faktin që sipas tyre, ka të tillë që varen nga ajo pagë.

“Po shtu Sindikata e Infermierëve të Kosovë ka kërkuar dhe kërkon që kontratat e këtyre profesionistëve të vazhdohen, ndërsa të gjinden modalitet që të kthehen në kontrata të rregullta, marrë parasysh mungesën e madhe dhe mbingarkesën e skajshme të stafit infermieror”, thuhet tutje në njoftim.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës i ka dhënë mbështetje protestës së thirrur për nesër dhe e konsideron të arsyeshme e legjitime./Aleanca.press/