Jakup Krasniqi: Petritsch ka të drejtë, Thaçi e ka fyer BE-në

Jakup Krasniqi: Petritsch ka të drejtë, Thaçi e ka fyer BE-në

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetar i Këshilliit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka reaguar lidhur me deklaratën e djeshme të diplomatit gjerman, Wolfgang Petritsch i cili ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në momentin kur ka deklaruar se nuk dëshiron të takohet me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, e ka fyer BE-në.

”Krerët e institucioneve të Kosovës, qoftë edhe Kryetari i shtetit, gjithnjë duhet ta kenë ndër mend, se nuk janë në pozitë të ndikojnë në institucionet e BE-së, e që i pretendojmë me të drejtë si vend e komb, se cilin person e nga cili vend i BE-së duhet të vendoset në këtë apo atë pozitë zyrtare të BE-së. Zyrtarët e Republikës sonë e kanë mundësinë, madje as kjo nuk është e mirë dhe racionale, vetëm që ta kontestojnë njëri-tjetrin, sikundër edhe po bëjnë, por jo të shkojnë përtej kësaj mundësie”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, krerët e lartë të Kosovës në takime me zyrtarë të lartë të BE-së, duhet të kenë sjellje të moderuara, politikisht të pjekura, në mënyrë që t’i bindin ata se kanë të drejtë.

Në fakt, zyrtarët e lartë të shtetit tonë nuk janë krejt pa mundësi, por, mundësia duhet të shfrytëzohet racionalisht dhe realisht, por gjithnjë duke mos e cenuar interesin e shtetit që e përfaqësojnë. Shprehimisht, krerët tanë të lartë në takimet zyrtare me përfaqësuesit e BE-së, me argumente e fakte të shumta, të cilat nuk na mungojnë, duhet t’ju ofrojnë bashkëbiseduesve të vendeve perëndimore, dhe jo vetëm atyre, reflektim të moderuar, të pjekur politikisht, për t’i bindur se kanë të drejtë dhe natyrisht këtë nuk duhet ta bëjnë për patriotizëm mediatik, por për t’ia arritur qëllimit politik”, është shprehur Krasniqi./aleanca.press/

 

 

Postimi i plotë:

PETRITSCH KA TË DREJTË

Deklarimi i Ambasadorit Petrich, se Thaçi ka fyer BE-në, është i drejtë.

Pse?

 

Krerët e institucioneve të Kosovës, qoftë edhe Kryetari i shtetit, gjithnjë duhet ta kenë ndër mend, se nuk janë në pozitë të ndikojnë në institucionet e BE-së, e që i pretendojmë me të drejtë si vend e komb, se cilin person e nga cili vend i BE-së duhet të vendoset në këtë apo atë pozitë zyrtare të BE-së. Zyrtarët e Republikës sonë e kanë mundësinë, madje as kjo nuk është e mirë dhe racionale, vetëm që ta kontestojnë njëri-tjetrin, sikundër edhe po bëjnë, por jo të shkojnë përtej kësaj mundësie.

 

Në fakt, zyrtarët e lartë të shtetit tonë nuk janë krejt pa mundësi, por, mundësia duhet të shfrytëzohet racionalisht dhe realisht, por gjithnjë duke mos e cenuar interesin e shtetit që e përfaqësojnë. Shprehimisht, krerët tanë të lartë në takimet zyrtare me përfaqësuesit e BE-së, me argumente e fakte të shumta, të cilat nuk na mungojnë, duhet t’ju ofrojnë bashkëbiseduesve të vendeve perëndimore, dhe jo vetëm atyre, reflektim të moderuar, të pjekur politikisht, për t’i bindur se kanë të drejtë dhe natyrisht këtë nuk duhet ta bëjnë për patriotizëm mediatik, por për t’ia arritur qëllimit politik.

 

Mënyra sesi ka biseduar Kryetari i shtetit tonë me zyrtarë të BE-së, përmes konferencave e deklaratave, është mënyra më e paduhur për ta përfaqësuar vendin në komunikim me BE-në dhe jo vetëm më të. Krejt atë që e ka thënë Kryetari ynë në media, ka mundur t’ua thotë zyrtarëve të BE-së në takimet zyrtare, por jo kështu siç ka vepruar dhe po vepron kohëve të fundit. Nuk është e rëndësishme se çka thua mediatikisht, por çka arrin politikisht.

 

Për shtetin tonë dhe qytetarët e vendit për këtë kohë nuk ka patriotizëm më të madh e më përmbajtjesor sesa prezantimi e mbrojtja e interesit të shtetit në bisedimet (dialogun) me Serbinë, për të arritur një marrëveshje të mirëqenë për kombin dhe arritur liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.