Ka ndërruar jetë Ronnie Spector, këngëtarja legjendare e “The Ronettes”

Ka ndërruar jetë Ronnie Spector, këngëtarja legjendare e “The Ronettes”

Këngëtarja Ronnie Spector, e cila ishte anëtare e grupit “The Ronettes” në vitet e gjashtëdhjeta, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare.

“Ronnie ynë u largua nga kjo botë pas një beteje të shkurtër me kancerin. Ajo vdiq në krahët e burrit të saj, Jonathan, edhe anëtarët të tjerë të familjes së saj ishin të pranishëm.

“Ajo ishte e guximshme dhe me një buzëqeshje në fytyrë luftoi deri në momentin e fundit të jetës”, thuhet në një deklaratë.

Artistja kishte lindur në Harlem të New Yorkut, ndërsa në vitin 1961 themeloi “The Ronettes” me motrën dhe kushërirën e saj. Ato u bënë të njohura në gjithë botën kur filluan të bashkëpunonin me producentin Phil Spector.

Disa nga këngët e tyre më të njohura janë: “Be My Baby”, “Baby I Love You”, “Walking in the Rain”, “Do I Love You?” etj. “The Ronettes” ishin gjithashtu të njohura në Angli dhe kënduan me Eric Clapton, “Rolling Stones” e “The Beatles”.

Grupi u shpërbë në vitin 1967. Menjëherë pas kësaj, Ronnie u martua me Phil Spector, megjithatë martesa e tyre ishte e trazuar dhe u shkurorëzuan në vitin 1974.