“Kam njerëz që për 200 euro vrasin”/ Gruaja nga Prizreni denoncon burrin për dhunë e kërcënime

“Kam njerëz që për 200 euro vrasin”/ Gruaja nga Prizreni denoncon burrin për dhunë e kërcënime

Një rast i dhunës në familje është denoncuar gjatë ditës së djeshme nga një grua në Prizren, e cila po pretendon se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe e ka kërcënuar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e tyre në rrugën “Flamuri i Arbërit”.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se konflikti mes çiftit ka nisur pas një mosmarrëveshje që kanë pasur kohë më parë dhe ka eskaluar gjatë ditës së djeshme, kur i dyshuari 27-vjeçar e ka fyer e kërcënuar bashkëshorten duke i thënë “Kam njerëz që për 200 euro vrasin”.  Gruaja e tij ka deklaruar para hetuesve se përveç kësaj, ai dyshohet se i ka bërë presion dhe e ka kontrolluar në vazhdimësi.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta raportojë rastin dhe të kërkojë ndihmë, si pasojë e frikës dhe shqetësimit që ia ka shkaktuar bashkëshorti.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim dhe ka shoqëruar në stacion për intervistim të dyshuarin, i cili ka dhënë deklaratë për rastin.

Ndaj tij, kanë nisur hetimet për veprën dhunë në familje, teksa viktima është dërguar te familja e saj, aty ku ndihet më e sigurt.