Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, i dehur dëmton përmendoren e UÇK-së

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, i dehur dëmton përmendoren e UÇK-së

Me datën 4 shtator rreth orës 23:30 ka ndodhur një aksident në lagjen Januzaj të fshatit Lubozhdë të Istogut, me ç'rast është dëmtuar Përmendorja e Heronjve të Kosovës Feriz Blakaj dhe Hajrush Elezaj.

Sipas dëshmitarëve, personi i cili ka bërë vetaksidentin ka qenë kandidati për kryetar të komunës së Istogut nga radhët e LDK-së, Ilir Ferati i cili pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes. Siç raporton Istogu Channel, policia në raportin e saj e ka fshehur emrin e Feratit duke raportuar se dikush tjetër ka kryer vetaksidentin. Por, janë dëshmitarët ata që flasin ndryshe.

Dëshmitarët kanë thënë se pasi kanë dëgjuar zhurmën e madhe të shkaktuar nga aksidenti kanë vrapuar menjëherë për të ndihmuar të vetaksidentuarin por që Ilir Ferati i cili ishte në gjendje të dehur ka kërkuar nga ta të mos incizojnë dhe mandej ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

“Në natën e 4 shtatorit, e shtunë rreth orës 23 e gjysë ka qenë një vetaksident, një Taureg me tabela 03 të komunës sonë. Unë kam qenë në shtëpi edhe e kam ndi një krismë, jam ardh në vendin e ngjarjes për me i ndihmu dikujna, kur kam ardh ka qenë një Taureg i hipur mbi Përmendore edhe e kam pa një zotëri këtu edhe po e pyes a je mirë, çka ka ndodhë, tha nuk jam i lëndum, u pa që ishte i shqetësum edhe në gjendje të dehun, nuk dike me u sjellë, mbas dy- tre minutash kanë qenë edhe pesë-gjashtë kusherinjë të rrethinës këtu, janë ardh edhe dy vetura, kur erdhën ato vetura ai veç na u lut neve, mos boni video edhe mos e thirrni policinë se s’ka ndodhë kurgjo, ai person që ka shkaktu vetëaksidentin ka qenë Ilir Ferati, personalisht e kam pa me sytë e mi, ka qenë këtu”, thotë dëshmitari i rastit.

“Në makinë ka qenë ai vetëm edhe kaloi një makinë këtu, ai ka hip në makinë edhe ka shku, mbas pesë minutave ka ardh një veturë tjeter nëse nuk gaboj e markës BMW dhe na kanë kërku me u largu prej vendit të ngjarjes, une jam largu prej këtu dhe mbas 10 minutave ka ardh një karrotrec, marimangë për me e marrë makinën. Pasi e kam pa që po e marrin veturën dhe policia nuk është këtu e kam telefonu policinë, ka qenë ora rreth 23 e 50... kanë ardh policia, 10 minuta kanë qëndru edhe kanë shku, ata kanë mbetë duke e tërheqë veturën, kjo ka qenë ngjarja, ajo çka m’ka pengu është se atë natë janë mundu me i mshefë dëmet këtu”, ka shtuar dëshmitari i cili ka parë gjithë ngjarjen.

Tutje dëshmitari ka shtuar se nuk i intereson se kush është personi i vetaksidentuar apo se çfarë bën, por i ka penguar se pse ka ikë nga vendi i ngjarjes duke thënë se ne duhet të kemi një vetëdijësim se kur e shkaktojmë një faj t'i qëndrojmë pas atij dëmi të bërë, e jo të ikim nga vendi i ngjarjes se ai është një person që nuk bën të ikë.

Kujtojmë se komuna e Istogut tash e 21 vjet qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). /Aleanca.press/