Kastrati: Bankat komerciale në vend i kanë rritur tarifat 700 %, të reagojë BQK-ja

Kastrati: Bankat komerciale në vend i kanë rritur tarifat 700 %, të reagojë BQK-ja

Bankat Komerciale në vend kanë ulur normat e interesit, mirëpo kanë rritur tarifat. E lidhur më këtë profesoresha universitare e ekonomisë Albulenë Kastrati, ka thënë për Ekonomia Online se bankat komerciale në Kosovë, i kanë rritur tarifat për normën 700 %.

Ajo shtoi se nëse para 4-5 viteve një shërbim depozitar ka kushtuar 30 cent tash kushton i njëjti shërbim 2 euro e 30, që do të thotë kemi mesatarisht rritje 700% të tarifave.

Sipas saj bankat komerciale në vend i kanë ulur normat e interesit në kredi, mirëpo i kanë rritur tarifat, e që sipas saj ky është problemi kryesor që duhet ta ngrisim sa u përket bankave komerciale.

“Sa i përket normave të interesit të bankat edhe këtu duhet ta kemi parasysh që historikisht kanë qenë norma të larta për nja 15 vite thuajse kanë qenë rreth 14% mesatarisht. Këto vitet e fundit prej vitit 2013 e tutje ka rënë norma e interesit e sidomos këto dy vitet e fundit gati çdo 2-3 muaj norma e interesit në kredi bie 0.1% që është trend relativisht i shpejtë i rënies. Aktualisht norma efektive e interesit në kredi është 5.8% domethënë që ka rënë prej 6%”, tha ajo.

Sipas Kastratit, problemi s’është tashmë tek normat e interesit në kredi, por tek tarifat që bankat i kanë rritur në normën 700 %.

“Problemin nuk e shoh tashmë të normat e interesit, meqenëse normat e interesit në kredi janë ulur. Problemin kryesor që duhet ta ngrisim në rastin e bankave komerciale janë tarifat. Për shkak se bankat këto vitet e fundit i kanë ulur normat e interesit, por megjithatë e kanë gjetur në një mënyrë shumë të lirë për ta realizuar fitime duke i rritur në mënyrë enorme tarifat në shërbime depozitare në tërheqje në transfere në pagesa në depozitim”.

“Përshmbull nëse para 4-5 viteve një shërbim depozitar ka kushtuar 30 cent tash kushton i njëjti shërbim 2 euro e 30. Që do të thotë kemi mesatarisht rritje 700% të tarifave. Bankat është e vërtetë që shumicën e fitimeve argëtojnë nga normat e interesit në kredi, mirëpo vetëm rreth 40% e popullatës është e kredituar dhe merr kredi”, tha ajo.

Sipas saj për rritje të tarifave është dashur të reagojë Banka Qendrore e Kosovës. “ Ndërsa, të gjithë ata klientë që kanë një llogari bankare në bankë të gjithë ata duhet të paguajnë provizione siç i quajmë në popull apo tarifa në shërbime depozitare dhe rritjen e tarifave unë e shoh si çështje shumë më problematike dhe e shoh si diçka që tashmë është dashur edhe vetë Banka Qendrore të reagoj”, tha Kastrati.

/Aleanca.press/