Kohë e idiotëve të dobishëm

Kohë e idiotëve të dobishëm

Një status në rrjete sociale nga lideri suprem për të cilin minimum nevojiten tre minuta për ta lexuar, ndërsa brenda pak sekondave i merr me mijëra pëlqime e komente, kryesisht lavde, kemi të bëjmë me një shoqëri të pazhvilluar, një shoqëri që me lehtësi i bindet autoritarizmit, një shoqëri e cila e pranon gënjeshtrën si të vërtetë, që nuk bënë asnjë hap të dobishëm për mirëqenien e saj.

Shkruan: Ardian AZEMI

Përqindje shqetësuese e qytetarëve nuk e dinë pse e kanë përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje. Shumica thonë se këta të tjerët e kanë shkatërruar Kosovën. Po mirë, po e zëmë se është ashtu, por pse vota për VV-n? Po de, se këta tjerët e kanë shkatërruar Kosovën.

Fatmirësisht që Kosova është demokraci parlamentare dhe pavarësisht përpjekjeve, nuk mund të shndërrohet në autokraci. Po të ishte sistem i pastër presidencial, duke i parë njerëzit çka janë në gjendje të bëjnë duke i pasur veç 20% të besimit të popullit, lehtësisht këta ishin shndërrua në diktatorë.

Në vende me mendësi të këtillë politike, nuk ka nevojë aspak për ide, partner, përfaqësim, as për mendime. Thjeshtë, veç për njerëz që japin trurin me qira për të qenë të dobishëm përmes pohimit qoftë me lëkundje koke, ngritje dore, apo vargje lavdie në rrjete sociale.

Një status në rrjete sociale nga lideri suprem për të cilin minimum nevojiten tre minuta për ta lexuar, ndërsa brenda pak sekondave i merr me mijëra pëlqime e komente pozitive, kemi të bëjmë me një shoqëri të pazhvilluar, një shoqëri që me lehtësi i bindet autoritarizmit, një shoqëri e cila e pranon gënjeshtrën si të vërtetë, që nuk bënë asnjë hap të dobishëm për mirëqenien e saj.

Nuk mund të arsyetohet kjo se jemi një popull i dalë nga lufta, një popull që ka qenë i robëruar disa dekada, i shtypur e i persekutuar, sepse fatkeqësisht, është gjenerata e re ajo e cila nuk mendon me kokë të saj e të cilët nuk e kanë përjetuar luftën dhe nuk kanë se si të vuajnë nga ato pasoja.