Konventa Jugosllavo-Turke për shpërnguljen e shqiptarëve (1938)

Konventa Jugosllavo-Turke për shpërnguljen e shqiptarëve (1938)

KONVENTA JUGOSLLAVO-TURKE
PËR SHPËRNGULJEN E SHQIPTARËVE (1938) 
 
Shkruan: Jahja Lluka


Më 1938, Qeveria e Mbretërisë Jugosllave nënshkroi një konventë me Qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtetë, bëhej fjalë për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman), nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe nga trevat e tjera shqiptare, që shtriheshin në 3 qarqe (banovina): në Banovinën e Zetës, të Moravës dhe të Vardarit. 

KONVENTA
Mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke* (*bëhet fjalë për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman) nga rajoni i Serbisë së Jugut në Jugosllavi. 
Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë, konstatojnë:
- Emigrimin (shpërnguljen) e myslimanëve nga rajoni i Serbisë së Jugut, dhe
- Njëheriy vlerësojnë se kjo popullatë, nga ana tjetër, në përgjithësi, i ka humbur të drejtat e regjimit të lirë në Jugosllavi, dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë, me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t’u bashkohen etnikëve të tyre natyralë në Turqi. 
Ata shfaqën dëshirën që të nënshkruajnë Konventën, sipas së cilës caktohen mënyrat e shpërnguljes si dhe preimpotencat e tyre përkatëse të:

Madhërisë së Tij, Mbretit të Jugosllavisë;
M. 
Ekselencës së Tij, zotit Kryetar i Republikës së Turqisë. 
M. 
Ato do të komunikojnë dhe do t’i përmbushin dëshirat e tyre, sipas mënyrave të caktuara me dispozitat vijuese:

Neni 1. 
Me këtë konventë identifikohen shtetasit jugosllavë me fé, kulturë dhe kombësi myslimane dhe që flasin gjuhën turke. 
Ndërsa, me këtë konventë nuk identifikohen personat për të cilët hyrja në Turqi është ndaluar sipas ligjeve dhe rregullave të Turqisë, të cilat janë në fuqi, edhe atë: popullata nomade dhe ajo jevge. 

Neni 2. 
Rajonet, të cilat i nënshtrohen emigrimit sipas kësaj konvente, janë si vijon: 
1. Rajoni i Banovinës së Vardarit:
Rajoni i Malit Sharr (Prizreni); Gora (Dragashi); Podgora (Suhareka); Nerodimja (Ferizaj); Donji Pollog-Pollogu i Ulët (Tetova); Gornji Pollog-Pollogu i Epërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri Marihovë); Negotin na Vardaru (Negotini i Vardarit); Skopje (Shkupi), Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Polje (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishtë); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gevgjelija (Gjevgjelia); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malësi (Berovo). 
2. Rajoni i Banovinës së Zetës, përfshin:
Pejën (Pejë); Istokun (Istog); Mitrovicën e Kosovës (Mitrovicë e Kosovës); Gjakovën (Gjakovë); Podrimjen (Rahovec). 
3. Rajoni i Banovinës së Moravës përfshin: 
Llapin (Podujevë); Vuçiternën (Vuçitërnë); Drenicën (Serbicë). 
Qeveria jugosllave do të caktojë se nga cili rajon do të fillonte emigrimi (shpërngulja). 

Neni 3. 
Numri i familjeve, për të cilat qeveria turke merr obligimin që t’i pranojë nga rajonet e përmendura në Nenin 2, sipas kushteve të kësaj konvente, përbëhet prej 40. 000 familjesh. Këtu përfshihen familjet e përbashkëta dhe anëtarët e tyre (personat) dhe fëmijët e një gjaku, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj konvente, jetojnë në një bashkësi familjare të pandarë dhe nën një kulm të përbashkët. 
Neni 4. 
Riatdhesimi i këtyre 40. 000 familjeve do të realizohet për gjashtë (6) vjet, sipas këtyre proporcioneve: 
1. Në vitin 1939 – 4. 000 familje
2. Në vitin 1940 – 6. 000 familje
3. Në vitin 1941 – 7. 000 familje
4. Në vitin 1942 – 7. 000 familje
5. Në vitin 1943 – 8. 000 familje
6. Në vitin 1944 – 8. 000 familje
Nëse ky numër i familjeve nuk mund të realizohet sipas viteve të parapara, për shkak të pengesave-vështirësive eventuale, të dy palët kontraktuese do të bëjnë marrëveshje sipas dispozitave përkatëse ligjore mbi numrin e të emigruarve (të shpërngulurve), të cilët do të evakuohen nga njëra anë, dhe do të pranohen nga pala tjetër, tre muaj para fillimit të emigrimit. Por, kuptohet se këto ndryshime eventuale të numrit të të emigruarve (të shpërngulurve) në vit, nuk mund të zgjaten më tepër se një vit gjatë gjashtë (6) vjetëve të caktuara-të fiksuara për emigrim (për shpërngulje). Koha e emigrimit (shpërnguljes) për çdo vit do të zgjasë (do të fillojë) prej muajit maj e deri më 15 tetor, pos kontingjentit të vitit të parë, i cili do të fillojë në fillim të muajit korrik të vitit 1939. 
Shqiptarë të dëbuar (“muhaxherë”) nga trojet e tyre, 
më 1912, prej pushtuesve serbë
 
Neni 5. 
Kjo konventë do të zbatohet vetëm për emigrimin (shpërnguljen) e popullsisë, siç u përmend më sipër. Myslimanët (turqit e shqiptarët), të cilët jetojnë në qytete, në rajonet e lartpërmendura, anëtarët dhe begatitë e tyre, nuk përfshihen në stimulim (në marrëveshjen e caktuar me kontratë) sipas kësaj konvente. Nëse dëshirojnë të emigrojnë në Turqi, ata do të munden të emigrojnë (të shpërngulen) si të lirë, në pajtim (konform) me Ligjin mbi emigrimin e tyre në Turqi. Me këtë rast, ata lirisht mund t’i likuidojnë begatitë (mallrat) e veta në fshat dhe në qytet. Qeveria jugosllave, sa i përket transferimit (shpërnguljes) në Turqi, cakton sasinë dhe shumën e likuidimit të mallrave të tyre (të pasurisë së tyre), ndërsa sa i përket vizës për hyrjen e tyre definitive në Turqi, qeveria turke do t’i ofrojë të gjitha lehtësimet e nevojshme. 
Neni 6. 
Në bazë të kësaj konvente, e gjithë pasuria e patundshme në fshat, e cila u takon të shpërngulurve, do të mbetet pronë e qeverisë jugosllave, në çastin kur qeveria jugosllave do t’ua paraqesë përfaqësuesve të Turqisë në Jugosllavi listën vjetore të të shpërngulurve. Sa i përket pasurisë së patundshme në qytet, ajo do t’u mbetet në disponim të lirë pronarëve të tyre. Kuptohet, qeveria jugosllave nuk merr obligim për pasurinë e patundshme në fshat, në çastin kur njerëzit që do të shpërnguleshin (tanimë të caktuar në listë) e kanë braktisur vendbanimin e tyre nga vendzbarkimi i caktuar. Deri në marrjen e pasurisë nga qeveria jugosllave, shfrytëzimi i asaj pasurie, siç është e garantuar me këtë konventë, do të bëhet nga pronarët e saj. Pronësimin e kësaj pasurie, qeveria jugosllave do ta realizojë lirisht në pajtim me dispozitat e Ligjit mbi kolonizimin e rajoneve të Serbisë së Jugut, i cili është në fuqi. 

Fshatrat e Kosovës në flakë 
Neni 7. 
Qeveria jugosllave duhet t’i paguajë qeverisë turke shumën prej 500 lirash turke për një familje, ndërsa shuma e tërësishme do të jetë 20. 000. 000 lira turke për 40. 000 familje, në bazë të së cilës shumë, këto familje do të merren në konsiderim. Përkundër kësaj pagese globale, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare që u përkasin të shpërngulurve, në pajtim me Nenin 6, mbeten pronë e qeverisë jugosllave. Sa i përket pasurisë së tundshme dhe të patundshme fshatare, e cila i takon kombësisë myslimane ose evkafit (vakëfit), kuptohet se kjo konventë nuk i dëmton dispozitat e ligjit ekzistues, i cili i rregullon ato. 

Neni 8. 
Qeveria jugosllave, më 1 prill dhe më 1 tetor të çdo viti, do të kryejë (bëjë) pagesën periodike (semestrale), e cila do të jetë në proporcion me familjet që shpërngulen, të cilat do të evakuohen gjatë vitit, e që mund të zvogëlohet ose të rritet në proporcion me numrin e tyre. Pagesa, shuma e së cilës është caktuar me nenin e mëparshëm (Neni 7) do të bëhet në 12 këste, e ndarë për gjashtë (6) vjet. 
Neni 9. 
Qeveria jugosllave, secilën pagesë do ta bëjë në këtë mënyrë: 
30 % në deviza, të cilat duhet t’ia lejojë në dispozicion Qeverisë së Republikës së Turqisë nëpërmjet Bankës Popullore të Jugosllavisë; 
70 % në dinarë, duke i deponuar në Bankën Popullore të Jugosllavisë, në dobi të xhirollogarisë - në favor të Qeverisë së Republikës së Turqisë;
Banka Popullore e Jugosllavisë, për secilën pagesë, do ta njoftojë menjëherë Legatën e Turqisë në Beograd, se depozita është bërë në xhirollogarinë e tyre. 
Neni 10. 
Për shndërrimin e dinarëve në lira turke, Banka Popullore e Jugosllavisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë do të realizojnë, në marrëveshje të përbashkët, sipas kursit të ndërrimit në lira turke, i cili vlen ditën e ndërrimit, përkatësisht në ditën e secilës pagesë. 

Neni 11. 
Shumat (fondet) e deponuara në Bankën Popullore të Jugosllavisë do të shfrytëzohen nga Qeveria e Republikës së Turqisë, qoftë në të gjitha format ose pagesat dhe shpenzimet, të cilat do të bëhen në Jugosllavi, qoftë për blerje në tregun jugosllav, përveç mallrave, eksportimi i të cilave është i ndaluar dhe i kushtëzuar me pagesat e tyre në deviza (siç janë): bakri, leshi, prodhimet nga lëkura, prodhimet nga druri i arrës, frutat e vajrave, ullinjtë, gruri dhe misri. 
Blerja e të gjitha këtyre mallrave do të realizohet, duke ia destinuar ato Turqisë. Këto mallra do të lirohen nga çdo tatim, nga çdo taksë ose nga çdo ngarkim tjetër i eksportimit. Kuptohet se për eksportim nuk do të zbatohen dispozitat e parashikuara në bazë të marrëveshjeve komerciale (tregtare), të lidhura ose që do të lidhen, por ajo do të bëhet në pajtim me dispozitat e kësaj konvente. 

Neni 12. 
Personat që do të evakuohen gjatë periudhës së shpërnguljes, të cilët do të shpërngulen sipas listës vjetore, duhet të japin (paraqesin) deklaratë me shkrim para autoriteteve jugosllave në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi shtetasit jugosllavë, që është në fuqi se, me dëshirë, heqin dorë nga shtetësia jugosllave. Këta persona do t’i kenë cilësitë dhe do t’i gëzojnë të drejtat e të shpërngulurve sipas ligjeve turke, që nga momenti kur përfaqësuesit e Turqisë, të cilët do të emërohen për këtë çështje, do t’i nënshkruajnë listat vjetore të emigrimit në Turqi. 
Neni 13. 
Të shpërngulurit, në përgjithësi, do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat (e pasuritë) e veta të tundshme të të gjitha llojeve, me të cilat posedojnë (si pronë personale), pastaj shtazët e shpezët nga fermat e tyre, instrumentet, makinat etj. , të cilat përdoren në punë bujqësore ose industriale ose për ushtrimin e zejeve e profesioneve të tjera. 
Megjithatë, për transportin e mallrave dhe të pasurisë së tyre të tundshme, të veglave bujqësore, pastaj nga 4 kafshë të trasha dhe nga 10 kafshë të vogla, duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, viçat etj. Qeveria jugosllave merr përsipër që ato t’i transportojë gratis deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik. 
Për transportin e mallrave, të shpërngulurit gëzojnë zvogëlimin e taksave sipas tarifës në fuqi. Megjithatë, nuk gëzojnë zvogëlimin e taksave për kafshë, si p. sh. gjashtë kafshë të trasha dhe 20 kafshë të imëta (të vogla), duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, për secilën familje që shpërngulet. 
Eksportimi i kafshëve bëhet sipas dispozitave të Konventës ekzistuese veterinare dhe në bazë të certifikatës së veterinarit, të cilat do të sigurohen gratis për ata që shpërngulen. 
Neni 14. 
Ata që shpërngulen janë të autorizuar që, në mënyrë të barabartë, të importojnë: ekskluzivisht stolitë e tyre personale, pikërisht qaforet ose pjesët e tyre, gjerdanët nga ari, argjendi, të cilat i mbajnë në qafë femrat, si dhe secili nga ata nuk mund të importojnë më shumë se një sosh. 
Përkundër kësaj, secili kujdestar i familjes është i autorizuar që lirisht të importojë, në të dalë nga Jugosllavia, shumën prej 2. 000 dinarësh, si dhe shumën prej 4. 000 dinarësh të shndërruar në kundërvlerë në deviza, pas likuidimit të pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme në qytet e në fshat, mallrat, eksportimi i të cilave nuk është i kushtëzuar në deviza ose i ndaluar në Jugosllavi, si dhe importimi i të cilave nuk është i ndaluar në Turqi. Të gjitha këto mallra do t’u nënshtrohen taksave dhe ngarkesave të tjera të eksportimit dhe të importimit. 
Nga kjo hartë mësojmë se shqiptarët kanë qenë shumicë në këto troje dhe se duke i identifikuar si “turq” ose “myslimanë”, ata i kanë shpërngulur nga vatrat e tyre stërgjyshore. Nga ky dokument, pos të tjerash, mësojmë se shqiptarë ka pasur edhe në këto rajone: Poreçi (Juzhni Brod - Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri Marihovë); Negotin na Vardaru (Negotini i Vardarit); Velesi (Velesi); Ovçe Polje (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishtë); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gevgelija (Gjevgjelija); Kriva Pallanka (Kriva Pallankë); Kratovo (Kratovë); Carevo Sello (Carevo Sello);Malësi (Berovë)
Neni 15. 
Banka Popullore e Jugosllavisë do të hapë xhirollogarinë speciale në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë, në të cilën secili i shpërngulur do të ketë mundësi të deponojë të gjitha shumat që i takojnë dhe me të cilat disponon, në pikëpamje të garantimit të transferimit nëpërmjet blerjes së mallrave në Jugosllavi, Banka Popullore e Jugosllavisë do ta njoftojë Legatën e Turqisë në Beograd për secilën pagesë të bërë në efektiv, me udhëzim të detajuar të deponuesit. Këto shuma, kështu të transferuara në Turqi, nëpërmjet mallrave të blera në Jugosllavi, do t’u kthehen të interesuarve nga Banka Qendrore e Republikës së Turqisë. 
Neni 16. 
Fondet, mallrat, vlerat, mobiljet dhe të gjitha objektet e tjera, të cilat u përkasin të miturve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilëve ua ka besuar kujdestari i familjes dhe të besuara nga organet kompetente jugosllave, do t’i paguhen ose do t’i lejohen Qeverisë së Republikës së Turqisë, që në të ardhmen do t’i sigurojë administrata dhe mbrojtja e tyre, deri sa të rriten ata, ndërsa shpagimi i tyre do t’i bëhet kryetarit të familjes, i cili e gëzon këtë të drejtë në pajtim me ligjet e Turqisë. 

eni 17. 
Të gjithë të rinjtë myslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listat vjetore të shpërnguljes, e të cilët ende gjenden në radhët e Armatës jugosllave, menjëherë do të lirohen nga shërbimi i mëtejmë ushtarak, dhe në të njëjtën kohë do të shpërngulen së bashku me familjet e tyre. Nën të njëjtat kushte, nuk do të përfshihen të rinjtë myslimanë turq që jetojnë në rajonet, popullsia e të cilave është caktuar të emigrojë gjatë vitit vijues. 

Neni 18. 
Nga ana e qeverisë jugosllave do të emërohet një komision special, i cili do të angazhohet për hartimin e listës vjetore për të shpërngulurit, duke e detajuar me të gjitha shënimet e nevojshme për kushtet, për profesionin dhe për zejet e emigrantëve. Listat duhet t’u prezantohen përfaqësuesve të qeverisë turke dhe, njëherit, duhet të zbatohen nga ana e tyre, ato do të shërbejnë si bazë për lejimin e dhënies së pasaportës turke, si dhe për llogaritjen e numrit të familjeve të të shpërngulurve. 
Ky komision jugosllav do të mbajë bashkëpunim të përhershëm me të deleguarit turq dhe, me kërkesë të tyre, duhet t’ua ofrojë atyre të gjitha informatat për të cilat ata kanë nevojë. 
Neni 19. 
Nisja dhe ngarkimi i të shpërngulurve do të bëhet në bazë të pasaportave kolektive turke, të cilat do t’u lejohen atyre nga autoritetet konsullore të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Jugosllavi. Pasaportat kolektive turke, si dhe të gjitha dokumentet tjera të nevojshme, të cilat vlejnë si dëshmi, përgatitja e listave vjetore dhe e vizave përkatëse në pasaporta për të dalë nga Jugosllavia, absolutisht do të bëhen gratis. 
Neni 20. 
Në zonën e lirë të Jugosllavisë, në Selanik, do të konstituohet një komision mikst turko-jugosllav i përbërë nga nëpunësit, të emëruar nga të dy qeveritë, i cili do të angazhohet, në marrëveshje të përbashkët, për të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme, sipas rrethanave dhe kushteve të ngarkimit dhe të zbarkimit të të shpërngulurve. 
Neni 21. 
Kjo konventë hyn në fuqi në ditën e ratifikimit të saj nga ana e të dy qeverive. Njëherit, nënshkruesit do ta vërtetojnë këtë konventë me vulat përkatëse. 
E hartuar në gjuhën frënge, në vitin 1938. 

M. R. -V. M (agovqeviq).  H. (asan) S. (aka). Dr. C. A. 

Dokumenti gjendet në DASIP. B. Fondi: Legata në Turqi, F, 31. D. II/9, Sekret, 1938.