Krasniqi: Shërbimet në ambulanta specialistike në QKUK rikthehen pas festave

Krasniqi: Shërbimet në ambulanta specialistike në QKUK rikthehen pas festave

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Valon Krasniqi, ka thënë se Sistemi shëndetësor në Kosovë është ballafaquar me kërkesa të mëdha si pasojë e pandemisë dhe kështu pas festave të fundvitit, rikthehen shërbimet në ambulancat specialistike në QKUK

Ai gjatë një interviste për EO, tha se gjatë nëntorit kanë pasur numrin më të madh të pacientëve me 1, 010 të cilët kanë marrë shërbime spitalore.

Sistemi jonë shëndetësor në Kosovë është ballafaquar me kërkesa të mëdha si pasojë e pandemisë Covid-19. Gjatë kohës së pandemisë ne kemi prioritizuar shërbimet shëndetësor sepse është dashur tu ofrojmë shërbime pacientëve që vinin për tu spitalizuar të sëmurë nga Covid-19. Ne kemi pasur numrin më të madh të pacientëve në fund të nëntorit dhe gjatë këtyre tri javëve deri në 1 010 pacientë kanë qenë të shtrirë të cilët kanë marrë shërbime”.

Tash ne kemi bërë planin që menjëherë pas festave të fundvitit t’i rikthejmë edhe shërbimet në ambulancat specialistike në klinikat e QKUK-së. Pesë klinika janë shndërruar në klinika Covid-19. Klinika e Infektivës, e Pulmologjisë, Internistike, objekti i Mjekësisë Sportive si dhe Mjekimi Intensiv Qendror. Edhe në Klinikën e Pediatrisë dhe Gjinekologjisë e kemi nga një repart të destinuar për të prekurit me Covid-19”.

Krasniqi theksoi  se këtë kohë janë ballafaquar me kërkesë enorme të barnave.

Gjendja me furnizim me barna në nivel të ShSKUK-së vite me radhë ka pasur mungesa të herëpashershme. Gjatë kësaj kohe jemi ballafaquar me kërkesa enorme për disa barna të caktuara. Megjithatë shumica e barnave të cilat janë në udhërrëfyesin e protokollit klinik për trajtimin e pacientëve me Covid kanë qenë në disponueshmëri, mirëpo ka pasur mungesa prej barnave të cilat janë mbështetëse”, është shprehur Krasniqi.