Kurtulus po e lë Kosovën, mediumi suedez zbulon se federata suedeze me lojtarin i kanë nisur procedurat e “kurorëzimit”

Kurtulus po e lë Kosovën, mediumi suedez zbulon se federata suedeze me lojtarin i kanë nisur procedurat e “kurorëzimit”

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon të humbas futbollistë. Përpos disa emrave të njohur që ishin në mes Kosovës dhe shteteve tjera, e që në fund zgjodhën ta refuzojnë fanellën verdh e kaltër, situata tani sikur ka marrë përshkallëzim tjetër.

Kjo pasi një lojtar që deri më tani e ka përfaqësuar Kosovën, po e lë atë, për t’iu bashkuar një shteti tjetër. Bëhet fjalë për Edvin Kurtulus. Mbrojtësi 22-vjeç deri më tani ka luajtur për ekipin e shpresave të “Dardanëve”, Kosovën U-21. Madje ishte edhe kapiten i kësaj skuadre.

Ndërsa, përzgjedh përzgjedhësi Alain Giresse e përfshiu atë në listën e Kombëtares A, të cilën e publikoi para pak ditësh, për ndeshjet e qershorit të Ligës së Kombeve. Por, në fund Kurtulus duket të ketë ndryshuar mendjen.

Ai tani po planifikon ta lë Kosovën pasi Kombëtarja e Suedisë besohet se ia ka hapur dyert. Një rast goxha i njëjtë me Ardian Ismajlin, ish kapitenin e Kosovës U-21, i cili kishte befasuar me transferimin e tij te Kombëtarja A e Shqipërisë.

Suedezët edhe më herët e kishin ftuar Kurtulusin, por në ekipin U-21. Por, lojtari kishte refuzuar ta lë shiritin e kapitenit të “Dardanëve” të rinj për të rinjtë suedezë. Mirëpo, besohet se tani Suedia ia ka hapur dyert e Kombëtares A, e cila sikur po e joshë mbrojtësin anësor.

Suedia sot e ka zbuluar listën e futbollistëve për ndeshjet e qershorit. Pjesë e kësaj liste nuk është Kurtulus, raporton Gazeta Express. Por, mediat skandinave po thonë se Kurtulus do të ftohet në grumbullimin tjetër të Suedisë pasi paraprakisht duhet t’i rregullohet i gjithë dokumentacioni që e kërkojnë rregulloret e FIFA-s.

“Sportbladet ka zbuluar se mbrojtësi i suksesshëm i Hammarbyt, Edvin Kurtulus ka vendosur të largohet nga Kosova për t’iu bashkuar Suedisë. Sipas informacioneve, tashmë kanë nisur procedurat për ndryshimin e Kombëtares. Palët janë në bisedime dhe në rrugë të duhur. Kurtulus e ka zgjedhur përfundimisht Suedinë”, ka shkruar mediumi i njohur suedez, “Sportbladet”.

Ndërsa, Gazeta Express ka provuar të marrë sqarime nga drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala. Por, ata thanë se sot në ora 14:00 mbahet konferenca e planifikuar e Kombëtares së Kosovës dhe se para saj nuk mund të flasin.

“Aksioni” i suedezëve nuk është i rastësishëm. Kjo pasi Kurtulus është bërë emër i njohur dhe i dëshmuar në Suedi, ku lojtari është lindur dhe bën karrierë. Ai po luan rregullisht për Hammarbyn, ekip i cili po kryeson në elitën e futbollit suedez. /Aleanca.press/