Ky është versioni i marrëveshjes që e kundërshtoi Haradinaj

Ky është versioni i marrëveshjes që e kundërshtoi Haradinaj

RTV Dukagjini ka siguruar versionin e parë të dokumentit që u është prezantuar palëve në Uashington e për të cilin, pas kundërshtimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u krijuan tensione te pala kosovare.

Mes tjerash Haradinaj kishte thënë: “Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën”.

Haradinaj kishte paralajmëruar edhe prishjen e qeverisë, duke thënë: “AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”.

Sipas dokumentit që u paraqit në RTV Dukagjini, formulimi i pikës për Ujmanin në marrëveshje, përcaktonte se “Të dyja palët do të ndajnë Liqenin e Gazivodës si burim të ujit dhe energjisë”.

Haradinaj kishte bërë edhe një reagim të dytë, ku dhe kishte ofruar zgjidhje për të mos dështuar marrëveshja. “Unë nuk do të pranoj që Kosova të nënshkruaj marrëveshje trilaterale ku Serbia është palë karshi Kosovës. Kosova duhet të marrë obligime dhe të drejta vetëm me SHBA, ku vetëm SHBA-të janë garantuese të sovranitetit dhe zhvillimit tonë. Ujmani është i yni dhe pranojmë bashkëpunim vetëm me ShBA-të për zhvillimin e energjisë dhe ujrave” – kishte shkruar Haradinaj.

Në tekstin i cili u nënshkrua, pika kontestuese u ndryshua dhe tani Kosova merr obligime që së bashku me Departamentin e Energjisë së Shteteve të Bashkuara, të bëj një studim fizibiliteti për shfrytëzimin sa më të mirë të ujit dhe energjisë nga Liqeni i Ujmanit. Madje edhe emri i liqenit është shkruar në të dyja gjuhët në tekstin final (Gazivode/Ujman).

Marrëveshja që u arrit në mes Serbisë dhe Kosovës nuk kaloi përmes negociatave vetëm në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në Prishtinë. Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku nga Prishtina raportoi se Ramush Haradinaj është telefonuar nga Uashingtoni pas kërcënimit të tij për largim nga koalicioni qeverisës nëse liqeni i Ujmanit përfshihej në marrëveshje dhe Serbia bëhej palë.
Do të shërbente si precedent për Trepçën. Haradinaj nuk e ka pranuar dhe është hequr në fund nga marrëveshja. Ka pasur një telefonatë nga Uashingtoni për Ramush Haradinajn, një lloj kërcënimi me sanksione për të, por ai nuk ka hequr dorë nga këmbëngulja që Serbia të mos jetë pjesë e menaxhimit të Ujmanit. Ramush Haradinaj nguli këmbë për të hequr Serbinë si palë për menaxhimin e Ujmanit” – raporton Linda Karadaku.

Se Ramush Haradinaj ka zhvilluar disa telefonata me Uashingtonin, aleanca.press e konfirmon edhe nga burime brenda AAK-së.

Pas mirëkuptimit lidhur me versionin e ndryshuar të tekstit, në ceremoninë e nënshkrimit kishin marrë pjesë edhe përfaqësuesit e AAK-së në delegacionin e Kosovës.

Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj, pa vonesë kishte përshëndetur arritjen e marrëveshjes dhe ka falënderuar shtetin amerikan dhe Presidentin Trump.

E përshëndes Marrëveshjen e nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë! Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. i lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar. Besimi ynë në rolin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka qenë i paluhatshëm dhe i tillë mbetet! Faleminderit President Trump! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!” - ka shkruar Haradinaj.

/aleanca.press/