Ministria e Bujqësisë ua kthen mbrapsht komunave raportet për dëmet në bujqësi, kërkon të përmirësohen

Ministria e Bujqësisë ua kthen mbrapsht komunave raportet për dëmet në bujqësi, kërkon të përmirësohen

Ministria e Bujqësisë ka mbajtur takim me 25 drejtorë të drejtorive komunale me qëllim të finalizimit të procesit të kompensimit të dëmeve, të cilat kanë ndodhur në sektorin e bujqësisë vitin e kaluar.

Zëvendëssekretari i Ministrisë, Blerim Hasani, deklaron se procesi i kompensimit bazohet në raportet të cilat janë ofruar nga komisionet komunale, që përmbajnë të dhëna nga terreni. Ai thotë të ketë kërkuar nga zyrtarët komunalë të bëjnë korrigjimin e raporteve komunale për dëmet në bujqësi. 

Hasani theksoi se takimi i sotshëm bëhet me qëllim prezantimin e të gjeturave dhe analizimin dhe korrigjimin e tyre.  

Kurse drejtorët komunalë kanë sqaruar metodologjinë të cilën e kanë përdorur gjatë vlerësimit për dëmet në bujqësi. Drejtorët komunalë u zotuan se në një afat sa më optimal të mundshëm të ridorëzojnë në ministri raportet finale.

Ministria ka njoftuar se pas pranimit të raporteve komunale me vlerësimet e dëmeve, ata do të procedojnë raportin e përgjithshëm për aprovim në Qeveri, duke u siguruar kështu që t’u kompensohet dëmi i fermerëve. /Aleanca.press/