Ministrja Rizvanolli ndalon prodhimin e kriptovalutave në Kosovë

Ministrja Rizvanolli ndalon prodhimin e kriptovalutave në Kosovë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë vendim për ndalimin e  prodhimit të kriptovalutave në Kosovë.

Rizvanolli ka njoftuar se këtë vendim e ka marrë me rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për ‘Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë’. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore. Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli tutje ka thënë se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave në lokacionet e identifikuara ku bëhet prodhimi i tyre.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo./Aleanca.press/