Nënshkruhet marrëveshja për bashkëorganizimin e Shkollës Verore Ndërkombëtare midis Universitetit “Ukshin Hoti”, ITP dhe DOKUFEST

Nënshkruhet marrëveshja për bashkëorganizimin e Shkollës Verore Ndërkombëtare midis Universitetit “Ukshin Hoti”, ITP dhe DOKUFEST

Është nënshkruar marrëveshja për bashkëorganizimin e Shkollës Verore Ndërkombëtare midis Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Parut te Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) Prizren dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar – DOKUFEST.

Më këtë rast u hap edhe thirrja për profesorë dhe studentë ndërkombëtar. Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj e vlerësoi lartë arritjen e këtij bashkëpunimi për organizimin e shkollës verore ndërkombëtare. “Vlen të theksohet se është hera e parë nga themelimi që Universiteti organizon një ngjarje të tillë shumë të rëndësishme. Duke e parë përkushtimin edhe të partnerëve besojmë se do të realizohet me sukses”, potencoi Rektori Krrabaj duke i falënderuar për mbështetje partnerët.

Ndërkohë Linda Llulla, Drejtore Ekzekutive e DOKUFEST, potencoi se Dokufest do të kontribuojë duke e ndarë përvojën e gjatë në organizimin e festivalit ndërkombëtar. Ajo bëri të ditur se studentët dhe profesorët që vijnë në Prizren të vijojnë shkollën verore, do të kenë mundësinë të pajisjen me akreditim falas në Dokufest, të përcjellin të gjithë filmat dhe aktivitetet tjera që organizohen gjatë kohës së festivalit.
Nikoqiri i kësaj ceremonie, Muhamed Rexhepi, përfaqësues i ITP-Prizren, theksoi se ITP-Prizren do t’i ofrojë hapësirat infrastrukturore për studentët vendor dhe ndërkombëtarë në akomodim, organizmin e ndonjë moduli dhe aktiviteteve tjera jashtë kurrikulare. Rexhepi, po ashtu tha se ky organizim i përgjigjet konceptit të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve që parasheh të përfshijë shkencën, hulumtimin e zhvillimin ku target grupi midis tjerash janë edhe studentët dhe të rinjtë.

E menaxhuar nga GIZ, përmes fondeve të Qeverisë Gjermane, ITP Prizren ofron një mjedis unik që nxit bashkëpunime të reja ndërmjet akterëve të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, institucioneve të trajnimit dhe arsimit, si dhe ndërmarrjeve të reja dhe atyre krijuese. Bashkëpunimi midis partnerëve në park, krijohet përmes lidhjeve sinergjike të sektorit privat, atij publik, shoqërisë civile dhe institucioneve të ndryshme akademike.

Rreth 120 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë pritet të marrin pjesë në shkollën verore, ndërsa 60 prej tyre të akomodohen në ITP Prizren, e cila do zhvillohet prej 1 deri më 12 Gusht të këtij viti./Aleanca.press/