Një muaj paraburgim për 8 zyrtarët komunalë të Ferizajt për “marrje të ryshfetit”

Një muaj paraburgim për 8 zyrtarët komunalë të Ferizajt për “marrje të ryshfetit”

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj tetë të pandehurve N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q., për shkak se dyshohet që kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” ndërsa S.M., A.B., A.A., B.B., dhe H.B., për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".

Sipas njoftimit të Gjykatës, të pandehurit gjatë vitit 2020, në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtar si roje pylli dhe teknik të pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete dhe për personat e tjerë, me dashje nuk kanë kryer detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e pyjeve.

“Në këtë mënyrë që edhe përkundër faktit se janë të obliguar që në momentin kur hasin dëmtuesit e pyjeve duke pre dru në mënyrë të kundërligjshme, t’iu shqiptojnë fletëparaqitje, të njëjtit nuk e bëjnë fare një gjë të tillë por arrijnë marrëveshje me ta dhe si kundërvlerë për mos shqiptimin e fletëparaqitjeve, marrin shuma të ndryshme të të hollave nga ata duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt.

Ndërsa të pandehurit S.M., A.B, A.A, B.B., H.B., dyshohet se kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, përkatësisht tek të dyshuarit me rastin e kontrollit nga ana e policisë në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë (6) armë gjuetie; dy (2) armë zjarri (revole); gjashtë (6) karikatorë të revoles; dy (2) karikatorë të AK-47; njëzet (20) fishekë cal. 9mm; tridhjetë –njëzetë (20) copë; tridhjetë (30) fishekë 7.65; katër (4) fishekë cal.12 mm –katër; trembëdhjetë (13) telefona mobilë; një (1) çekan për damkosje si dhe fletore gjepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë dhe të tjera”, thuhet ndër tjera në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.