'Non Paper' dhe udhëtimi i Kurtit në Bruksel, LDK me kritika për Kryeministrin

'Non Paper' dhe udhëtimi i Kurtit në Bruksel, LDK me kritika për Kryeministrin

Ditët e fundit ka qarkulluar në media një dokument i tipit “Non Paper” për të cilin thuhet se është përgatitur nga Franca dhe Gjermani dhe ku kërkohet rifillimi i dialgut dhe njohja e ndërsjelltë mes dy vendeve.

Ky dokument paralajmëron gjithashtu krijimin e një autonomie për serbët e veriut.

Pas publikimit të këtij dokumenti,  ditën e sotme ka fluturuar për në Bruksel edhe Kryeministri Kurti.

E këtë vizitë të Kurtit për në Bruksel po e kritikojnë nga kampi opozitar.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, njëherësh zëdhënëse politike e këtij subjekti politik, Sibel Halimi, ka thënë për “Gazeta Blic” se kërkojnë sa më parë nga Qeveria të njoftojë qytetarët për procesin e dialogut.

“Sot, kur Kryeministri Kurti ka udhëtuar për Bruksel, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë fare njohuri për atë se mbi bazën e çfarë platforme për dialog Kryeministri Kurti ka marrë këtë rrugë. Qeveria jo vetëm që nuk ka ofruar një platformë të tillë por, madje, nuk ka prezantuar as planin e saj qeverisës, edhe një muaj pas fillimit të mandatit. Në mungesë të qëndrimeve zyrtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në këtë mjegulli informatash, dalin në pah platforma të ndryshme për dialogim në formën e dokumenteve jo-zyrtare (non-papers) të cilat i keni parë edhe ju”

“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më parë të njoftojë qytetarët e vendit për procesin e dialogut dhe qasjen e saj karshi këtij procesi. Dialogu duket se ka zënë vend primar në prioritetet e Qeverisë Kurti, ndërkaq deklaronte të kundërtën para procesit zgjedhor.Qëndrimi i Lidhjes Demokratike është i qartë, dialog që do të qojë në njohjen e ndërsjelltë dhe në respektim të kufijve aktualë” tha Halimi për “Gazeta Blic”.

Tutje Halimi ka thënë se qëndrimi i LDK-së në lidhje me dialogun është i qartë, çdo marrëveshje që del nga ky proces duhet të jetë në përputhje me respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përcaktuar qartë për të luajtur rolin e saj kushtetues në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës sa i takon dialogut me Serbinë, për të siguruar që marrëveshjet që dalin nga ky proces do të jenë në frymën e njëjtë të respektimit të ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për më tepër, Lidhja Demokratike e Kosovës beson që njohja e ndërsjelltë e Kosovës dhe Serbisë në kufijt aktualë krijon kushte për paqe e stabilitet afatgjatë në rajon dhe u hapë rrugë të dy vendeve për antarësim në Bashkimin Evropian”

Edhe nga shoqëria civile në vend kanë ardhur reagime të shumta  pas publikimit të këtij dokumenti.

Njohësi i çështjeve poltitike, Dorajet Imeri, tha për “Gazeta Blic” se dokumente të një natyre të tillë nuk është se nuk kanë ndikim pavarësisht se nuk kanë autorësi të deklaruar.

“Dokumentet e natyres se tille qe lidhen me tema kaq të ndjeshme, nuk është se nuk kanë ndikim, pavarësisht se nuk kanë një autorësi të deklauar, kjo për faktin se, ato ndikojnë në krijimin e opinionit publik, që mund të ketë efekt edhe ne vendimmarrje. Dokumenti si i tille, jep idene e krijimit të një zgjidhjeje, e cila mund te jetë  veshtirë e aplikueshme, marrë parasyshe faktin e pozicionit të palëve.

Tutje Imeri ka komentuar dhe takimin e Kurtit që pritet të zhvillojë në Bruksel.

“Takimi i Kurtit, ka rëndesi, sa i perket paraqitjes së pozicionit negociues të palëve. Meqë është e para e kesaj natyre, do të përdoret nga palët me shumë për njohje të pozicioneve, kërkesave dhe qëndrimeve” tha Imeri për Gazeta Blic.

Ish-kryeministri Kurti gjatë fushatës elektorale ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes së tij, por vetëm 1 muaj pas marrjes së pushtetit i njëjti udhëton për në Bruksel.

Në Bruksel me Kryeministri Kurti është duke qëndruar edhe zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi i cili është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, ku kanë diskutuar në lidhje me dialogun./Aleanca.press/