Numër i konsideruar i personelit të spitalit hezitojnë të vaksinohen

Numër i konsideruar i personelit të spitalit hezitojnë të vaksinohen

"Marrja e vaksinës është vullnetare dhe është njerëzore e normale që të kemi edhe hezitime të individ të caktuar dhe unë besoj që kjo nuk është në atë nivel që kishte me qenë shqetësuese. Ajo çka kam vërejtur, ka prej atyre që janë vaksinua që pyeten nga kolegët për reaksionet eventuale. Që në këtë situatë e kuptoj që është edhe normale”, ka thënë drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj.

Me një mijë dozat e vaksinave, që i janë dhënë Pejës për fillimin e procesit të vaksinimit kundër Covid-19, ishte planifikuar të vaksinohet edhe i gjithë personeli i Spitalit të Pejës.

Por prej 577 punëtorëve të këtij spitali deri tash janë vaksinuar vetëm rreth 300 dhe në mesin e këtyre ka mjaftë që hezitojnë të vaksinohen me vaksinën “AstraZeneca”, nga frika e mpiksjes së gjakut.

Megjithëse publikisht nuk pranuan të deklarohen, disa prej tyre më të cilët ka folur KOHA treguan se do ta presin llojin tjetër të vaksinës për shkak se nuk po ia kanë shumë besën kësaj vaksine, që aktualisht është duke u dhënë në Kosovë, nga frika e mpiksjes së gjakut.

“Unë kam qenë e infektuar me Covid-19 dhe e kam kaluar mirë pa ndonjë komplikim. Tash për këtë vaksinë që po jepet është fol shumë e është thënë shumë e madje në disa vende edhe e patën ndaluar një kohë për shkak të mpiksjes së gjakut si efekt anësor i kësaj vaksine. E ku e di unë a i kam a jo predispozitat për këtë efekt anësor. Kështu ma mirë po pres kur të vinë vaksinat e llojit tjetër dhe e marr”, ka thënë një infermiere e këtij spitali arsyet pse nuk ka guxim të vaksinohet me vaksinën “AstraZeneca”.

Drejtori i Spitalit, Skënder Dreshaj, i cili ishte vaksinuar i parë të premten e kaluar kur ka nisur vaksinimi në Pejë, ka pranuar se një numër i personelit heziton të vaksinohet.

“Marrja e vaksinës është vullnetare dhe është njerëzore e normale që të kemi edhe hezitime të individ të caktuar dhe unë besoj që kjo nuk është në atë nivel që kishte me qenë shqetësuese. Ajo çka kam vërejtur, ka prej atyre që janë vaksinuar që pyeten nga kolegët për reaksionet eventuale. Që në këtë situatë e kuptoj që është edhe normale”, ka thënë Dreshaj.

E ky hezitim i disave prej personelit që të mos vaksinohet, sipas tij ka pas edhe një anë pozitive, pasi siç shtoi ai ka ndihmuar në menaxhimin më të mirë të fillimit të procesit të vaksinimit të punëtorëve të spitalit.

“Mendoj ndoshta ma mirë që disa kanë hezituar, meqë kishim numër të kufizuar të vaksinës dhe nuk patëm tollovi se kush i pari të vaksinohet”, ka thënë Dreshaj.

Mirëpo, për të, hezitimi apo mungesa e guximit aktualisht që të vaksinohet një pjesë e personelit, nuk është e rëndësishme sesa fakti se asnjëri prej personelit shëndetësor të vaksinuar nuk ka pas ndonjë reaksion të shkallës së tillë shqetësuese, përveç reaksioneve të zakonshme postvaksionale, si temperaturë, dhimbje të kokës e të muskujve, që sipas tij janë reaksione që zakonisht zgjasin 24 orë.

Deri tash, nga numri i përgjithshëm i personelit të spitalit janë vaksinuar rreth 300 prej tyre dhe numri tjetër që ka mbetur pa vaksinuar nuk është i gjithi që po refuzojnë aktualisht të vaksinohen.

“Ky proces duket i ngadalshëm edhe për faktin se puna në spital është me ndërrime, mandej e kemi një numër të personelit që është edhe në proces të infektimit ose e ka kaluar infeksionin këto ditë. Por besoj që me kalimin e kohës edhe ata që kanë qenë skeptik për vaksinim do të shohin dhe do të binden që kjo është në të mirën e tyre dhe të gjithëve”, ka thënë Dreshaj.

Për fillimin e vaksinimit, Pejës i janë ndarë një mijë doza të vaksinës, më të cilat ishte menduar që fillimisht të vaksinohen gjithë 577 punëtorët e Spitalit të Pejës dhe 350 punëtorët e qendrave mjekësore të shëndetit primarë.

Deri të mërkurën në mesditë, sipas shefit të Qendrës së vaksinimit në Pejë, Dugagjin Sahatqiu, janë vaksinuar 550 veta, prej të cilëve rreth 300 punëtorë të Spitalit të Pejës, kurse të tjerët personel i QKMF-së, i urgjencës dhe ekipeve mobile mjekësore.

Meqenëse për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar të gjithë ata që është pritur të vaksinohen në katër-pesë ditët e para, në këtë qendër, përveç personelit të Institutit të Shëndetit Publik dhe të Qendrës së Shëndetit Mendor, që kanë qenë në rend të vaksinohen, siç ka thënë Sahatqiu nga dita e mërkurë ka nisur vaksinimi edhe i personelit të ordinancave, laboratorëve dhe barnatoreve private.

Në mesin e personelit mjekësor privat, vullnet për vaksinim ka treguar edhe kirurgia orale e një ordinance private, Lendita Islami Nallbani, e cila njëkohësisht motivoi gjithë personelin mjekësor dhe gjithë të tjerët që të vaksinohen, pavarësisht llojit të vaksinës, pasi sipas saj kjo është mënyra e vetme për imunizim.

“Mendoj që kjo vaksinë është e kontrolluar nga OBSH-ja dhe mendoj që duhet të vaksinohen të gjithë”, ka thënë ajo.

Pasi të përfundojë vaksinimi i personelit të qendrave mjekësore publike dhe atyre private, nga java e ardhshme, nëse tepron ndonjë prej këtyre një mijë dozave, sipas shefit të Qendrës së Vaksinimit, do të nis vaksinimi në dy shtëpi të pleqve dhe pacientëve rezident në objektin e shëndetit mendor. E pastaj varësisht nga furnizimi me vaksina do të vazhdohet me vaksinimin e të moshuarve dhe të sëmurëve kronik.

Nëse Peja vazhdon të furnizohet me sasi të vogla të dozave të si kjo e para për fillim, sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, vaksinimi do të bëhet vetëm në Qendrën Kryesore të Vaksinimit dhe Imunizimit.

“E nëse do të ketë furnizim me sasi më të madhe të vaksinave atëherë ne jemi të gatshëm t’i shndërrojmë disa qendra shëndetësore në objekte për vaksinim. Personeli mjekësor i gjitha qendrave të mjekësisë familjare, që mund të shndërrohen në qendra të vaksinimit, është i trajnuar dhe i gatshëm të vaksinojë popullatën”, tha Loci.

/Aleanca.press/