Orban planifikon referendum për çështje të mbrojtjes së fëmijëve

Orban planifikon referendum për çështje të mbrojtjes së fëmijëve

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka bërë të ditura planet për referendum për çështje të mbrojtjes së fëmijëve, me qëllim të matjes së mbështetjes për legjislacionin kontrovers, të cilin Bashkimi Evropian dhe aktivistët e konsiderojnë diskriminues për komunitetin LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

Përmes një videoje në rrjetin social Facebook, Orban ka akuzuar Komisionin Evropian për abuzim të pushtetit, meqë ka sfiduar së fundmi legjislacionin hungarez.

Orban e ka bërë këtë njoftim, pasi Komisioni Evropian ka nisur veprim ligjor kundër Budapestit javën e kaluar.

Ky vendim lidhet me amendamentet që u ndalojnë shkollave përdorimin e materialeve që besohet se promovojnë homoseksualitetin.

“Brukseli hapur ka sulmuar Hungarinë në javët e fundit, sa i përket ligjit”, ka thënë ai.

“E ardhmja e fëmijëve tanë është duke u cenuar, andaj nuk mund ta shmangim këtë gjë”, ka thënë ai përmes Facebookut.

Orban nuk ka përmendur se kur planifikon të organizojë referendumin, mirëpo ka thënë se ai do të përfshijë pesë pyetje, duke përfshirë atë se “A e mbështesni mbajtjen e orëve për orientim seksual për fëmijët e vegjël, pa pëlqimin e prindërve?” dhe “A mbështesni promovimin e trajtimeve për ndryshime të gjinisë, për fëmijët e mitur?”.

Zyrtarët e BE-së nuk kanë komentuar ende deklaratat e Orbanit.

Veprimi ligjor, që është inicuar nga Brukseli më 15 korrik, mund të rezultojë me bllokim të fondeve të BE-së për Budapestin.

Ligji kontrovers, që ka hyrë në fuqi më herët gjatë këtij viti, ka nxitur kritika të ashpra në mesin e liderëve të BE-së dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT, të cilët e shohin të njëjtin si sulm ndaj të drejtave të komunitetit LGBT, duke stigmatizuar minoritetet seksuale dhe duke mbytur debatin për orientimin seksual.

Orban, i cili është në pushtet nga viti 2010, përballet me zgjedhje të vështira vitin e ardhshëm, për shkak të probleme ekonomike, të nxitura nga pandemia e koronavirusit.