Pas kërcënimit fizik , kryeparlamentarja Osmani paraqet në polici deputetin Ukaj

Pas kërcënimit fizik , kryeparlamentarja Osmani paraqet në polici deputetin Ukaj

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje, u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Më pas, Osmani përmes një statusi në rrjetin social Facebook tha se Kuvendi i kthehet punës të hënën në ora 14:00. Ajo njoftoi se ndaj deputetit Ukaj ka hapur rast në polici.

"Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Osmani.

Reagimi i plotë:

Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast, ndërkaq ne i kthehemi punës së Kuvendit të hënën në orën 14:00, sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit. Ka tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, siç është menaxhimi i pandemisë dhe nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit.