​Për tri ditë janë vaksinuar 827 persona me sëmundje kronike

​Për tri ditë janë vaksinuar 827 persona me sëmundje kronike

Po vazhdon procesi i vaksinimit kundër coronavirusit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Edhe sot në këtë qendër po vaksinohen personat e grup moshës 75 deri 79 vjeç e të cilët kanë sëmundje kronike.

Vetëm gjatë orëve të para të së dielës në sallën “1 Tetori” janë vaksinuar 103 persona. Për tri ditë janë vaksinuar 827 persona me sëmundje kronike. Kurse gjithsej janë vaksinuar 1 mijë e 180 të moshuar.

Kështu ka bërë të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi në konferencë për media.

Sot është dita e 3 me radhë sa i përket personave me sëmundje kronike të grup moshën 75 deri 79 vjeç që aktualisht deri në këto qaste që ne po flasim sot kemi 103 të vaksinuar për dallim nga dy ditët e mëparshme që kishim një fluks më të madh të njerëzve. Nga data 8 prej kur kemi filluar me grup moshën mbi 85 pastaj 80 tani 75 e mbi aktualisht kemi 2333 persona të vaksinuar. Nëse i referohemi vetëm pjesës së sëmurëve kronike këtyre 3 ditëve deri në këto çaste kemi aktualisht 827 persona të vaksinuar. Për derisa të moshuar deri në këto çaste kemi pas 1180, shto numrin e disa personelit shëndetësore dhe personave që janë në dializë, kjo është gjendja aktuale e personave që janë vaksinuar në qendrën 1 tetori”, tha ai, transmeton KP

E moshuara Imrane Ibrahimi kishte dilema të mëdha rreth asaj se a duhet apo jo ta marrë vaksinën AstraZeneca e cila u ndalua në disa shtetet. Megjithatë, Ibrahimi vendosi që sot ta vaksinohet me AstraZeneca.

Ibrahimi tregon se ajo vendosi ta marrë vaksinë pasi me këtë vaksinë u vaksinua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Isha në dilema a me marr a jo, për shkak trashjes së gjakut thoshin. Por kur e pash që mjekët po e preferojnë, Albin Kurti e pranoi, thash pse unë jo,  jeta jem nuk është më e vlefshme se e juve të rinjve. Unë në mënyrën më të ndershme e kam dhënë kontributin për këtë shoqëri e për familje e të gjithë e tash si është e shkruar ashtu bëhet. Shpresoj që për të mirë erdha”, tha ajo.

Më 28 mars Kosova i ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19. Këto doza të vaksinës AstraZenenca u dhuruan si donacion për qytetarët e Kosovës nga COVAX-i.

E ata që kishin prioritet për t’u vaksinuar ishin profesionistët shëndetësorë, më pas qytetarët mbi moshën 80-vjeç dhe ata me sëmundje kronike. I pari që e mori dozën e vaksinës AstraZeneca ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti./Aleanca.press/