Pfizer dhe BioNTech kërkojnë miratimin e BE-së për përdorim të vaksinës tek fëmijët

Pfizer dhe BioNTech kërkojnë miratimin e BE-së për përdorim të vaksinës tek fëmijët

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech njoftuan gjatë ditës së djeshme se kanë dorëzuar një kërkesë në Bashkimin Evropian për të zgjatur autorizimin e vaksinës së tyre COVID-19 për përdorim tek fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Kompanitë farmaceutike thanë se mund të mbledhin të dhëna për fëmijët më të vegjël se kjo grupmoshë deri në shtator.

BioNTech/Pfizer thanë në mars se vaksina e tyre është provuar të jetë 100% efektive tek të rinjtë e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Provat e fazës 3 që përfshijnë 2 mijë e 260 fëmijë në Shtetet e Bashkuara “demonstruan 100% efikasitet dhe përgjigje të fuqishme të antitrupave”, tha kompania gjermano-amerikane në një deklaratë.

Ata thanë se shpresojnë të fillojnë vaksinimin e kësaj grupmoshe para vitit të ardhshëm shkollor dhe do të kërkojnë autorizim nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dhe Agjencia Evropiane e Barnave për të zgjeruar përdorimin e vaksinës.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dje njoftoi se ka blerë edhe 60 milionë doza të tjera të vaksinës BioNTech/Pfizer për të mbështetur programin e saj të planifikuar nga vjeshta.

Kjo vjen pasi BE-ja njoftoi në fillim të këtij muaji se ishte përqëndruar në vaksinat e Moderna për përhapjen e saj dhe është në bisedime për të blerë edhe 1.8 miliardë doza të tjera të vaksinës.

“Ne duhet të përqendrohemi në teknologjitë që kanë provuar vlerën e tyre: vaksinat e ARN-së janë një rast i qartë,” tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në mes të Prillit.

Shefi i laboratorit BioNTech tha të mërkurën se ai është “i sigurt” se vaksina e tyre COVID është efektive kundër variantit indian.

Ky varianti i COVID-19 besohet të jetë shfaqur pas një rritje ekstreme të infeksioneve dhe vdekjeve në Indi. Teksa deri tani është zbuluar në 17 vende të botës duke përfshirë kombe të shumta evropiane.

Varianti B.1.617 ka nën-linja të shumta të cilat ndryshojnë pak nga mutacionet e tyre karakteristike, por një nga ato kryesore, i quajtur L452R, është shoqëruar me transmetueshmëri të rritur dhe rezistencë më të ulët ndaj trajtimit, përfshirë vaksinimin, vuri në dukje OBSH.

Ndërsa fëmijët e të gjitha moshave janë të ndjeshëm ndaj dhe mund të transmetojnë SARS-CoV-2, të dhënat e mbikëqyrjes nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) treguan se fëmijët midis 1-18 vjeç kanë shkallë më të ulët të hospitalizimit dhe vdekjeve nga COVID-19 për dallim nga grupmoshat tjera.

Por ekspertët insistojnë që për ta bërë botën të sigurt nga COVID-19, të gjithë duhet të vaksinohen, përfshirë edhe fëmijët./Aleanca.press/