Policia e ndalon të riun te rrethi i flamurit në Prishtinë, ai ‘dorëzohet’ dhe i njofton se ka armë të zjarrit

Policia e ndalon të riun te rrethi i flamurit në Prishtinë, ai ‘dorëzohet’ dhe i njofton se ka armë të zjarrit

Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Një rast i tillë është zbuluar edhe të martën, te ‘rrethi i flamurit’ në Prishtinë, ku gjatë patrullimit të Policisë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Gjatë kontrollimit të të dyshuarit dhe veturës së tij zyrtarët policorë kanë gjetur një armë të zjarrit me disa fishekë, që janë konfiskuar më pas. Për shkak të posedimit të armës, ai është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me gjësendet e konfiskuara me rastin e kontrollit policor.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“