Pse janë të mbrojtur fëmijët nga COVID-19?

Pse janë të mbrojtur fëmijët nga COVID-19?

Që prej fillimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri (SARS-CoV-2), fëmijët kanë përbërë një përqindje të vogël të të infektuarve dhe të të sëmurëve, krahasuar me moshat e rritur dhe të shtyra. Përkundër përhapjes së variantit delta, ku fitohet përshtypja se numri i fëmijëve të prekur është i rritur, së paku nga të dhënat ndërkombëtare duket se mbetet ende në një përqindje të vogël krahasuar me të rriturit. Meqenëse nuk kemi ndonjë të dhënë epidemiologjike vendore, i citoj të dhënat e CDC-së amerikane që thekson se në periudhën mars 2020 - gusht 2021, fëmijët kanë përbërë vetëm 2% të hospitalizimeve nga Covid-19 në SHBA. Kurse në bazë të shifrave të Akademisë amerikane të pediatrisë, personat nën 21-vjeç kanë përbërë 15% të infektimeve nga Covid-19.

 

Kjo ka shtyrë në shumë hulumtime për të kuptuar se çfarë qëndron në prapavijën e mbrojtjes së fëmijëve. Një ide e hershme ka qenë se fëmijët kanë përqendrim më të ulët të receptorëve ACE2 në mukozën e traktit respirator të sipërm, mirëpo ngarkesa virale e matur te ta ka qenë e barabartë me atë të rriturve. Kjo tregon se bazimi në numrin e receptorëve ACE2 nuk është i mjaftueshëm për shpjegim. (Pierce, C. A. et al. JCI Insight 6, e148694 (2021)).

Hipoteza tjetër është se fëmijët bien më shpesh në kontakt me lloje të ndryshme të koronavirusit, prandaj edhe gjenerojnë përgjigje më të mirë dhe të shpejtë nga varianteve të SARS-CoV-2. Mirëpo, numri më i vogël i antitrupave të adaptueshëm apo të specializuar, përkatësisht titri më i vogël i antitrupave neutralizues, e hedh poshtë këtë hipotezë. (Yonker, L. M. et al. Preprint at medRxiv https://doi.org/10.1101/2021.05.30.21258086 (2021)).

Shpjegimi më i arsyeshëm për suksesin e fëmijëve në evitimin e sëmundshmërisë po dëshmohet të jetë imuniteti i tyre i lindur (innate immunity). Është treguar se fëmijët kanë nivel më të lartë të qelizave limfoide, përkatësisht të neutrofileve të aktivizuar, të cilët janë reaguesit e parë ndaj kontaktit me mikroorganizëm në mjedisin e jashtëm. Duke reaguar shpejt, fëmijët kësisoj fitojnë në kohë në përgjigjen imunitare ndaj infeksionit, duke krijuar avantazhin kohor në luftimin ndaj virusit. (Neeland, M. R. et al. Nature Commun. 12, 1084 (2021)).

Avantazhi tjetër i fëmijëve është se mukoza e hundës së tyre përmban numër më të madh të qelizave epiteliale të cilat kanë ekspresion më të lartë të gjeneve që kodojnë MDA5 - receptorin që e njeh koronavirusin e ri. Kësisoj, njohja më e hershme e patogjenit i hap rrugë prodhimit të shpejtë të interferonëve dhe rezultati është i njëjti - fitimi në kohë në përgjigjen imunologjike ndaj virusit. (Loske, J. et al. Nature Biotechnol. https://doi.org/10.1038/s41587-021-01037-9 (2021)).

Në mbështetje të rolit të imunitetit të lindur tregon edhe fakti se fëmijët me deficit të lindur të imunitetit kanë pasur tablo klinike më të rëndë të Covid-19 krahasuar me fëmijët me imunitet intakt të lindur.

Një studim me të rritur ka treguar se një numër i të sëmurëve me tablo të rëndë klinike nga Covid-19 kanë pasur mutacione gjenetike që e ka çrregulluar aktivitetin e interferonit 1. Analiza tjetër ka treguar se në rreth 10% të të sëmurëve me Covid-19, janë prodhuar autoantitrupa që e bllokojnë aktivitetin e këtyre interferonëve - dy studime që tregojnë në rolin (negativ) e imunitetit të fituar në përkeqësimin e tablosë së Covid-19. (Zhang, Q. et al. Science 370, eabd4570 (2021)), (Bastard, P. et al. Science 370, eabd4585 (2021)), (Bastard, P. et al. Sci. Immunol. 6, eabl4340 (2021)).

#Coronavirus #koronavirusi #SARSCoV2 #Covid19 #Kids #Fëmijët #Immunity #InnateImmunity